Stafi i UP-së ofron ekspertizë profesionale pas situatës së krijuar në Shqipëri
Më qëllim të realizimit të ndihmës, pas situatës së krijuar në Republikën e Shqipërisë si shkak i tërmetit të ndodhur, si dhe të bazuar në Komunikatën e lëshuar nga Rektorati i UP-së për ofrimin e të gjitha kapaciteteve për ndihmë, disa nga mësimdhënësit e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe të Fakultetit të Arkitekturës kanë realizuar një vizitë pune në Durrës me datën 28/11/2019 , me ç’rast aktivisht janë involvuar në vlerësimin e dëmtimeve në momentet e para pas tërmetit.

Aktiviteti i angazhimit të mësimdhënësve nga UP-ja në këtë fazë ka qenë në koordinim me menaxhmentin e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë.

Koordinimi është realizuar nga zëvendësdekani i Fakultetit në Tiranë, prof. dr. Agim Serenaj dhe përfaqësuesja e Bashkësisë së Durrësit, znj. Davida Ndoj. Gjatë këtij aktiviteti janë vizituar 30 objekte të banimit në Lagjen nr. 18 – Keneta, ku për objektet e vizituara janë përgatitë raportet e vlerësimit, që pastaj ato raporte janë përcjellë në Qendrën e Emergjencave Civile në Durrës.

Mësimdhënësit u dakorduan që hapat në vijim do të realizohen konform kërkesave dhe nevojave të parashtruara.

Mësimdhënësit e Fakultetit të Ndërtimtarisë shprehën gatishmërinë që të jenë në dispozicion, duke involvuar edhe mësimdhënës të tjerë që me komisione të përbashkëta me mësimdhënës nga Universiteti Politeknik i Tiranës të angazhohen për vlerësime profesionale të objekteve ndërtimore të dëmtuara.

Në anën tjetër, ndihmë ofroi edhe Departamenti i Psikologjisë, profesorët e së cilit kanë realizuar një trajnim intenziv një ditor, me qëllim të përgatitjes së psikologëve për ofrim të mbështetjes psiko-sociale dhe këshillimit për të gjithë personat e zhvendosur nga Shqipëria në ish-kampin e KFOR-it.

Profesorët dhe studentët tanë do të luajnë një rol aktiv në procesin e ofrimit vullnetar të mbështetjes psiko-sociale dhe këshillimit. Ata do të ofrojnë mbikëqyrje dhe trajnim të vazhdueshëm profesional për ekipet mobile të studentëve dhe profesionistëve të shëndetit mendor të Prizrenit, që do të ofrojnë shërbime në terren.