Panairi i Edukimit, mundësi e artë për njohjen me universitetet frankofone
Panairi i Edukimit – Studioni në Francë i mbajtur javën e kaluar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në të cilën morën pjesë 11 universitete frankofone dhe 6 zyre që funksionojë në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është shndërruar në një busull orientuese për të gjithë ata që duan t'i vijojnë studimet në Francë. Të tillë e kanë konsideruar vetë pjesëmarrësit, veçanërisht studentët, të cilët thanë se panairi është një mundësi e papërsëritshme për t’i njohur nga afër universitetet frankofone.

Altin Isaku, student në Fakultetin Juridik në UP, tha se panaire të tilla duhet të organizohen më shpesh.

“Mendoj se duhet të organizohen sa më shumë panaire të edukimit sepse një panair është një mundësi e mirë për informimin e studentëve dhe për hapjen e mundësive të shumta për të studiuar në vende të mrekullueshme siç është Franca”, tha Altini.

Madje, ky event u bë shkas që e diplomuara në UP Florikë Qerimi të mendojë rreth vazhdimit të studimeve në Francë.

Unë kurrë më parë nuk e kam menduar të studioj në Francë, por tani, nga informacionet që mora nga universitetet franceze, përfundimisht do ta kem në konsideratë mundësinë për të studiuar atje”, tregoi ajo. 

Ky interesim i studentëve nuk kaloi pa u vërejtur as nga përfaqësuesit e universiteteve frankofone.

“Është hera e dytë që vij në këtë panair. Mund të them se ishte mjaft befasues, jo vetëm interesimi i studentëve por mund të them që ishte një organizim perfekt i panairit në Kosovë”, tha znj. Radosveta Krastanova, drejtoreshë e Qendrës Frankofone të Universitetit “New Bulgarian University”. 

Edicioni i dytë i këtij panairi u organizua nga Qendra për Zhvillim të Karrierës e UP-së, në bashkëpunim me Aleancën Franceze dhe Ambasadën e Francës në Kosovë.