TELEGRAM NGUSHËLLIMI: REKTORI DEMA NGUSHËLLON FAMILJEN ÇAVOLLI

E respektuara familje,

 

Me pikëllim të thellë e pranuam lajmin që prof. dr. Riza Çavolli nuk është më në mesin tonë.

Prof. dr. Riza Çavolli i dha shumë Kosovës përmes fushës së gjeografisë. Breza të tërë e mësuan këtë lëndë përmes librave të tij. Krijimtaria e tij ishte aq e begatë sa përfshinte 21 libra universitarë dhe para-universitarë, 85 njësi bibliografike, artikuj, studime dhe punime shkencore, të cilat ndihmuan që gjeografia si shkencë ekzakte të jetë e zhvilluar sa është sot.

Profesori Çavolli ka kontribuar në mësimdhënie në Fakultetin e Shkencave Matematiko - Natyrore që nga viti  1970, fillimisht si ligjërues, e më vonë edhe si dekan i këtij fakulteti.  

Ne jemi krenar që patëm rastin që profesor Çavollin ta kemi pjesë të stafit akademik të Universitetit. Kolegët e universitetit, si dhe studentët e tij, do të jenë gjithmonë mirënjohës për kontributin e tij akademik. Ai përherë do të mbahet në mend si njeri me personalitet të matur, me etikë akademike dhe profesionale, si dhe do të kujtohet si shembull për gjeneratat e reja.

Në emër të organeve drejtuese dhe menaxhuese, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të UP-së, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta!

I paharruar qoftë kujtimi për profesor Çavollin!

 

Me respekt,

Prof. dr. Marjan Dema - rektor