Shënohen katër dekada rrugëtim të sportit universitar në UP

Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shënuar sot 40 vjetorin e themelimit të tij. Për shënimin e katër dekadave rrugëtim, FEFS-i organizoi Konferencën e Dytë Shkencore Ndërkombëtare në Edukim Fizik, Sport dhe Shëndet, ku morën pjesë përfaqësues nga vendi, rajoni dhe bota.

Në akademinë solemne të shënimit të këtij jubileu të pranishëm ishin përfaqësues universitetesh, përfaqësues të institucioneve shtetërore, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, kampionia olimpike në xhudo, znj. Majlinda Kelmendi, se bashku me trajnerin e saj, z. Driton Kuka, profesorë nga rajoni dhe Evropa, sportdashës e personalitete të tjera nga sporti e akademia.  

Hapjen e ceremonisë solemne e bëri dekani i këtij Fakulteti, prof. asoc. dr. Musa Selimi, i cili tha që dita e sotme për të gjithë studentët e pedagogët është një dite krenarie.
Sot këtu me mysafirë shumë të veçantë, me mjeshtër të pendës, studiues, hulumtues, publicistë, sportistë, veteranë, media të shkruara dhe elektronike po shënojmë një ngjarje të veçantë, 40 vjet dije në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit” tha Dekani Selimi, i cili tha që sukseset e këtij Fakulteti janë të mëdha e vështirë të numërueshme.

Me krenari audiencës iu drejtua edhe prorektorja për buxhet dhe financa në UP, prof. dr. Myrvete Badivuku – Pantina, e cila tha që në këtë paraqitje të saj po përcjell përgëzimet e rektorit Dema në shënimin e përvjetorit të 40-të të këtij Fakulteti.
“40 vjet jetë nuk do të ishin të mundshme pa punën dhe përkushtimin, por as pa interesimin e nxënësve që kanë vendosur që jetën akademike dhe karrierën e tyre t’ia besojnë këtij Fakulteti. Pikërisht këta studentë e bënë UP-në dhe tërë Kosovën të artë me sukseset e tyre, duke u kthyer fitimtarë nga garat ndërkombëtare kudo që u përfaqësuan” tha Badivuku – Pantina.

Profesoresha nga Universiteti i Vjenës në Austri, prof. dr. Barbara Wessner tha që ndjehet shumë e nderuar që është pjesë e këtij celebrimi madhështor të përvjetorit të 40-të të FEFS-it.
“Unë me ju dua të ndaj përvojën time në këtë fakultet. Për herë te pare erdha këtu para 10 vitesh përmes projektit Tempus, e sot jam e lumtur të shoh gjithë këtë progres të bërë gjatë kësaj dekade. Jam shumë e lumtur që isha pjesë e këtij rrugëtimi” tha prof. Wessner.

Përvjetorin e 40-të të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit e uruan edhe përfaqësues të tjerë të pranishëm në këtë akademi solemne, në mesin e të cilëve ish-studentë, studentë aktual, e pjesëtarë nga universitete partnere.

Në fund të akademisë solemne, u shpërblyen me pllakate të mirënjohjes protagonistët kryesorë të këtij rrugëtimi të FEFS-it. Ndërkaq, koha e rezervuar në vazhdimësi iu dedikua ekspozitës së fotografive me titull “Katër dekada rrugëtim” dhe konferencës dy ditore.