Mbahet edicioni i dytë i “Panairit të Edukimit - Studioni në Francë”
Nën moton “Studio në Francë”, u mbajt edicioni i dytë i “Panairit të Edukimit - Studioni në Francë”, me ç’rast studentët, të diplomuarit dhe stafi akademik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” patën mundësinë që nga afër të njihen me mundësitë e studimit në djepin e kulturës. Ky panair u organizua nga Qendra për Zhvillim të Karrierës e UP-së, në bashkëpunim me Aleancën Franceze dhe Ambasadën e Francës në Kosovë.

Në hapje të konferencës “Frankofonia, një avantazh për një karrierë akademike dhe profesionale”, prorektorja për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. asoc. dr. Merita Berisha, tha se kjo konferencë dhe ky panair kanë për qëllim të ndihmojnë në rrjetëzimin dhe zhvillimin e karrierës së pjesëmarrësve.
“Edhe edicioni i dytë i këtij panairi synon krijimin e mundësive të reja të komunikimit dhe informimit të drejtë mbi mundësitë e edukimit në universitetet ndërkombëtare”, tha prorektorja.

Ndërsa, ambasadorja e Francës në Kosovë, znj. Marie – Christine Butel, falënderoi rektorin e UP-së prof. dr. Marjan Dema dhe profesoreshën Valbona Berisha për kontributin e tyre në zhvillimin e frankofonisë në Kosovë.
“Me vetë faktin që Kosovës i është dhënë statuti i anëtarit të asociuar në organizatën ndërkombëtare të frankofonisë, kjo u jep mundësi të shumta studentëve të cilët e kanë bërë përzgjedhjen që të mësojnë në gjuhën frënge”, tha ambasadorja.

Presidenti i Universitetit Libano-Francez, z. Mohamad Salhab, i cili për herë të parë erdhi në Prishtinë, tregoi se si frëngjishtja është bërë vektor i ndërkombëtarizimit për universitetin që ai përfaqëson.

Këtë event, me një fjalë rasti, e përshëndetën edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, z. Fazli Gajraku, profesoresha Valbona Berisha dhe përfaqësuesi i Universitetit “Lyon 2”, z. James Walker.

Ky panair, përveç konferencës, pat edhe sesione informuese të mbajtura nga universitetet pjesëmarrëse, të cilat e shpalosën punën e tyre para të pranishmëve. Hapja e këtij panairi ka zgjuar kërshërinë e studentëve dhe të diplomuarve, të cilit ishin pjesëmarrës në një numër të madh në aktivitetet e organizuara në kuadër të tij gjatë ditës se sotme.