UP-ja dhe FFK-ja pajtohen për inicim të bashkëpunimit

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema u prit sot në takim nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Agim Ademi.

Në këtë takim të përbashkët, UP-ja dhe FFK-ja u dakorduan për të bashkëpunuar në fusha me interes të përbashkët për të dyja palët, përfshirë këtu ekzekutimin e disa lehtësirave për lojtarët e FFK-së, të cilët janë studentë të UP-së, si dhe bashkëpunimin në ngritjen e infrastrukturës së sportit në UP.

Në këtë takim, rektori Dema theksoi që është kënaqësi e veçantë të jesh në ambientet e Federatës më të dashur për vendin, teksa foli edhe për progresin e bërë në UP, në veçanti në lëmine e sportit. Dema, njëherësh, përgëzoj kryetarin e FFK-së për të arriturat e Kombëtares së Kosovës në Kampionatin Evropian duke uruar që këto suksese të jenë edhe më të mëdha në vijim.

Në anën tjetër, kryetari Ademi tha që bashkëpunimi me UP-në eshte një nder dhe nevojë për ta si Federatë. 

Në fund të këtij takimi, në emër të Federatës, kryetari i saj i dhuroi rektorit Dema një fanellë të Kombëtares së Kosovës, ndërsa rektori Dema i dhuroj logon e UP-së.

Dema në këtë takim ishte i shoqëruar nga prodekanja për çështje mësimore në Fakultetin e Edukimit, Fizik dhe Sportit, prof. ass. dr. Shqipe Bajçinca, sekretari i përgjithshëm i UP-së, z. Esat Kelmendi, këshilltari i tij, prof. Flamur Hyseni dhe znj. Sebahate Neziri. Në anën tjetër, delegacioni nikoqir i FFK-së përbehej nga kryetari i FFK z. Agim Ademi, nënkryetari i FFK-së, z. Agim Dibrani, sekretari i përgjithshëm i saj, z. Eroll Salihu, si dhe z. Bekim Rexhepi, anëtar i komitetit ekzekutiv të FFK-së.