Organizata KOMS - fituese e dyfishtë në Asamblenë Vjeshtore EMSA 2019
Dorina Gashi, Redon Jashari, Flutur Latifi dhe Lum Kastrati, studentë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe përfaqësues të Organizatës së Studentëve të Mjekësisë të Kosovës (KOMS), fituan çmimin “Projekti më i mirë i këmbimit”  dhe “Çmimi për posterin më të mirë” në Asamblenë Vjeshtore të EMSA-së.

Në një konkurrencë prej 250 pjesëmarrësve nga e tërë bota, studentët tanë fituan këto çmime për organizimin e suksesshëm të projekteve të shkëmbimit të studentëve nga Sektori i Punëve të Jashtme dhe për posterin për kampanjën për kancerin e gjirit.

Studentët thanë se ishin të lumtur për këtë fitore, e cila, sipas tyre, nuk do të ishte e mundur pa punën e madhe që është bërë.

“Kjo fitore nuk do të ishte e mundur pa angazhimin e asistentëve dhe profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë, të cilët pa hezitim kanë pranuar kërkesën tonë, dhe me punën e tyre i kanë bërë krenarë të gjithë studentët kosovarë”, shprehet Redoni.

Në këtë asamble, të mbajtur në Athinë të Greqisë, u organizuan punëtori e ligjërata, me ç’rast mantelbardhët patën rastin të diskutojnë me profesorë e studentë të fushës së mjekësisë.

Kjo asamble i mbledh studentët e mjekësisë nga e gjithë Evropa, nikoqire e së cilës ka qenë Kosova tre vjet më parë.