UP-ja certifikon studentët vullnetarë të eventit “Dita e Orientimit të Studentëve të Rinj”
Studentët ambasadorë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” janë certifikuar pasi vullnetarisht janë angazhuar në organizimin e eventit “Dita e Orientimit të Studentëve të Rinj”.

Në këtë ceremoni të ndarjes së certifikatave, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema, tha se ndjehet krenarë për punën e këtyre studentëve.

“Universiteti është krenar me ju, sepse keni bërë një punë të mirë. Urojmë që edhe në të ardhmen të reflektoni në të njëjtën mënyrë dhe ta shtoni rrethin e vullnetarëve të ambasadorëve studentë, sepse Kosova ka nevojë për punë të tilla”, u shpreh Dema.

Tashmë është hera e dytë që UP-ja e organizon këtë event, në të cilin studentët informohen nga afër rreth studimeve në këtë universitet.

Programi “Studentë ambasadorë” në UP është një mundësi e udhëheqjes vullnetare për studentët, të cilët janë të përkushtuar për të shërbyer dhe përfaqësuar këtë universitet.