UP-ja dhe KMDLNJ-ja nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për t’iu mundësuar studentëve punë praktike
Studentët e Fakultetit Juridik, atij Filozofik, të Filologjisë dhe studentët e fakulteteve të tjera të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” do të kenë mundësinë që të bëjnë punë praktike në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), falë nënshkrimit të marrëveshjes në mes të UP-së dhe KMDLNJ-së.

Për arritjen e kësaj marrëveshjeje, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema, tha se është i lumtur sepse kjo nismë po ndihmon në realizimin e misionit të UP-së, që përveç mësimdhënies, t’iu mundësojë studentëve dhe përvojën praktike.

“Jam shumë i kënaqur që kemi arritur këtë marrëveshje, sepse që nga dita e parë që kam marrë mandatin kam synuar që fjala angazhim të implementohet në UP, sepse universiteti është i të gjithëve”, theksoi rektori Dema.

Në anën tjetër, drejtori i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, tha se kjo marrëveshje do t’iu mundësojë studentëve që ta gërshetojnë teorinë me praktikën.

Sipas kësaj marrëveshjeje, çdo tre muaj do të përzgjidhen studentët me notën më të lartë mesatare, të cilët do ta kryejnë praktikën vullnetare në këtë institucion.