Qendra Universitare Frankofone - shtëpi e dashamirëve të gjuhës frënge në Kosovë
Dashamirët e gjuhës dhe kulturës frënge, që nga viti i kaluar, kanë edhe një vend ku mund të diskutojnë dhe ta mësojnë këtë gjuhë, falë Qendrës Universitare Frankofone të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Qëllimi i kësaj qendre është përhapja e gjuhës dhe kulturës frënge në Kosovë, përmes aktiviteteve të së cilës studentëve frankofonë dhe frankofilë u mundësohet zhvillim profesional në nivel ndërkombëtar.

Ndonëse është themeluar në shkurt të vitit 2018, kjo qendër ka arritur që të realizojë mbi 20 aktivitete, nga të cilat kanë përfituar mbi 150 studentë dhe staf, si dhe pjesëmarrës të tjerë.

Lidhur me këtë, drejtoresha e kësaj qendre, Valbona Berisha, tha se është e kënaqur me punën që bëhet.

“Me punën dhe angazhimin e bërë gjatë këtyre dy vjetëve, që nga themelimi, kemi arritur një bashkëpunim edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, si dhe kemi kontribuuar në përpilimin e dosjes për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare Frankofone (OIF)”, tha Berisha.

Që nga themelimi, kjo qendër ka ofruar: trajnime, kurse falas, konferenca, bashkëbisedime e takime me shkrimtarë, vizita në Francë, gara letrare e shfaqje filmash, duke bërë që kjo qendër të shndërrohet në shtëpi të gjuhës frënge, fillimisht për studentët tanë, si dhe për të gjithë frankofilët.