Rektori Dema takon studentët që do ta përfaqësojnë UP-në në një punëtori në Turqi
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, ka pritur në takim studentët Arba Shushka dhe Lindon Mustafa nga Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në UP, për t’iu uruar suksese në pjesëmarrjen e tyre në punëtorinë e studentëve të Arkitekturës të Ballkanit, e cila do të mbahet në Edremit të Turqisë.

Uroj që të na përfaqësoni në mënyre dinjitoze, jo vetëm Universitetin e Prishtinës, por edhe Kosovën. Ndërsa, për këtë mundësi, që studentët tanë të trajnohen në këtë punëtori, e falënderoj shoqatën Rotary Club”, tha Dema.

Ndërkaq, kryetari i klubeve të Rotary-s, z. Sylë Alaj, ka falënderuar rektorin Dema për këtë pritje, si dhe për mbështetjen e dhënë.

Duke ju falënderuar për pritjen tuaj, potencoj se jam i bindur se këta dy studentë do ta prezantojnë universitetin, vendin dhe Rotary-n në mënyrën me të mirë të mundshme në Turqi”, theksoi Alaj.

Të dy studentët u shprehën krenarë për mundësinë e përfaqësimit të Universitetit të Prishtinës në këtë punëtori, duke thënë se do të japin më të mirën nga vetja për një përfaqësim sa më dinjitoz.

Në këtë punëtori, përveç studentëve nga Kosova, do të marrin pjesë edhe të tjerë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia, Bullgaria dhe Greqia, të cilët, për pesë ditë, sa edhe do të zgjasë punëtoria, do të diskutojnë për temën “Ndërtesa e vjetër e shërbimit të Komunës së Edremit”.

Ky është aktiviteti i dytë në të cilin UP-ja dhe Rotary bashkëpunojnë në shërbim të studentëve të UP-së. Muaj më parë, në UP është organizuar seminari me temë “Problemet e neglizhuara të malaries dhe sëmundjeve të tjera të lidhura me mushkonjat”, ku morën pjesë studentë të përzgjedhur nga Kosova, Gjermania, Greqia dhe Turqia.