E diplomuara në UP, Sabina Gjocaj, përzgjidhet ambasadore në Universitetin e Groningenit, në Holandë
Sabina Gjocaj, sa ishte studente e nivelit master në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, përfitoi bursë për studim në Universitetin e Groningenit në Holandë. Në mesin e qindra aplikantëve nga mbarë bota, në një ceremoni formale të organizuar nga ky universitet, Sabina u përzgjodh ambasadore, duke marrë mbi supe misionin e promovimit ndërkombëtar të këtij institucioni, i cili bën pjesë në top 100 universitetet më të mira në botë.

E me këtë përzgjedhje, Sabina, që kreu studimet bachelor dhe master në UP, bëri që emri i shtetit të Kosovës të shfaqet kudo në faqet e Universiteti të Groningenit.

“Ndihem jashtëzakonisht mirë për faktin se tanimë të gjithë studentët e interesuar nga Kosova e kanë një pikë referuese për studimet në Universitetin e Groningenit, gjë e cila ua lehtëson marrjen e informatave dhe, mbi të gjitha, u ndihmon sadopak gjatë periudhës së aplikimeve”, shprehet ajo.

Sabina thotë se rrugëtimi i saj nuk ka qenë i lehtë por edhe formimi akademik i marrë në UP i ka ndihmuar që t’ia dalë mbanë.

“Natyrisht se për të studiuar në universitete të tilla, siç është ai i Groningenit, duhet pasur një formim akademik dhe profesional goxha të mirë. Pjesë e formimit tim kanë qenë edhe studimet në Fakultetin Juridik në UP. Megjithatë, programi i studimeve që kam pasur në Groningen ka qenë më i fokusuar në aspektin global (internacional) të së drejtës penale, ndërkaq në UP, bazat më të mira i kam formuar në aspektin nacional të së drejtës penale”, rrëfen ajo.

Ajo është kthyer në Kosovë për të kontribuar në reformimin e sistemit ligjor dhe aktualisht është e punësuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në cilësi të zyrtares ligjore.

Vlen të përmendet që Sabina ka përfunduar studimet me sukses maksimal.

Rrëfimin e Sabinës në faqen zyrtare të Universitetit të Groningenit e gjeni në linkun në vijim: https://www.rug.nl/alumni/about-alumni/ambassadors/2019-2020/sabina-gjocaj_-albania