Prorektori Bytyqi priti në takim Rektorin e Universitetit të Camerinos të Italisë
Prorektori për mësim dhe çështje për studentë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Hysen Bytyqi, ka pritur në takim rektorin e Universitetit të Camerinos, prof. Claudio Pettinari dhe profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare në këtë universitet, prof. Renato De Leone, me të cilët diskutoi për mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve.

Në këtë takim prorektori Bytyqi njoftoi nga afër mysafirët për historikun e UP-së, punën dhe reformat që po bëhen viteve të fundit në këtë institucion.

Të dyja palët u pajtuan se bashkëpunimi i filluar duhet të intensifikohet dhe të përfshijë fushën e mobilitetit akademik, bashkëmentorimit të studimeve të doktoraturës, si dhe projekte të tjera.

Në këtë takim morën pjesë edhe zëvendësministri në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, z. Afrim Bekteshi dhe presidentja e Shoqatës “Le Aquile” në Itali, znj. Ariana Kosova - Hoxha.