QZHK - busulla e orientimit në karrierë e studentëve dhe të diplomuarve të UP-së
Vetëm në periudhën janar – korrik të këtij viti, Qendra për Zhvillim të Karrierës (QZHK) në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka realizuar 160 aktivitete, me synim ofrimin e mundësive për zhvillim personal dhe profesional të pjesëmarrësve. Nga të gjitha këto organizime, përfitues kanë qenë mbi 52,000 individë, përfshirë studentë, maturantë, të diplomuar dhe stafi i UP-së.

E qëllimi kryesor i këtyre aktiviteteve, ashtu si edhe i vetë QZHK-së, është ndërtimi i urave të bashkëpunimit në mes të tregut të punës dhe universitetit.

Shkumbin Tafilaj, këshilltar për karrierë në QZHK, thotë se janë të kënaqur me punën e bërë.
“Duke gëzuar statusin e qendrës lider të karrierës në nivel të institucioneve private dhe publike të arsimit të lartë në vend, ne besojmë që dedikimi në punë dhe arritja e objektivave strategjike duhet të jenë prioritet. QZHK, me punën e saj, synon të jetë një shembull i mirë e referues për orientim dhe këshillim të studentëve”, shprehet Tafilaj.

Qendra për Zhvillim të Karrierës synon që në të ardhmen të vazhdojë fuqizimin e shërbimeve digjitale të karrierës, pra shërbimeve “E-karriera” dhe “Panairi Virtual i Karrierës”, themelimin e klubeve të karrierës në fakultetet e UP-së, si dhe themelimin e klubit të biznesit, i cili do të synojë punësueshmërinë e studentëve dhe të të diplomuarve të UP-së.

QZHK që nga viti 2007, vit që shënon themelimin e saj, ofron këshillime dhe trajnime për paraqitje në intervista pune, për përgatitje të CV-ve dhe letrës motivuese. Kjo qendër synon zhvillimin e shkathtësive për punë tek studentët tanë duke mundësuar njëherësh aplikimin online për punë praktike dhe punësim, si dhe ofron trajnime të ndryshme, të cilat iu mundësojnë të trajnuarve të sigurojnë vendin e tyre të punës.

Kontakti: [email protected]