Betohen mësuesit e ardhshëm
Studentët e Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot, me ceremoni solemne shënuan përfundimin e katër viteve studim në nivelin baçelor. Ata para profesorëve e familjarëve të tyre u betuan se profesionin e mësuesit do ta ushtrojnë me nder, përkushtim dhe krenari.

Herolind Orllani, i posadiplomuar në programin “Edukim dhe Zhvillim në Fëmijërinë e  Hershme (0-3 vjeç), tha se është i lumtur që po e përjeton këtë ditë të veçantë.
“Duke parë se nevoja për të pas edukatorë të kualifikuar për këtë moshë të fëmijëve është mjaftë e madhe tek ne, me vullnetin më të madh vendosa të studioj këtë drejtim. Me këtë hap të ndërmarrë unë gjithashtu fillova të hedh poshtë paragjykimet se fëmijët e vegjël duhet të edukohen vetëm nga edukatoret”, tha ai.

Duke uruar studentët për diplomimin, dekani i këtij fakulteti, prof. as. dr. Ethem Çeku, tha se misioni i këtij fakulteti është ndërtimi i një mësuesi të mirë, i cili i shërben atdheut dhe kombit.
“E ardhmja e këtyre studentëve është në dy drejtime, ata të cilët shkojnë në banka të shkollës për të marrë misionin e mësuesit dhe ata të cilët prapë nga misioni i mësuesit në shtator përgatiten për të konkurruar në programin e masterit”, u shpreh dekani.

Krenarë me mësimdhënësit e ardhshëm u shpreh edhe prorektorja e UP-së, prof. dr. Myrvete Badivuku - Pantina.
“Në të tilla ditë, s’kam si të mos ndihem krenare, kur universiteti ynë ka shkolluar kaq studentë të mirë. Sukseset e tyre janë edhe sukseset e universitetit, e këtij institucioni ku këta të posadiplomuar morën njohuritë e parë për mësimdhënien”, tha prorektorja.

Në këtë ceremoni u shpërblyen me mirënjohje profesorët e këtij fakulteti, për kontributin e tyre dhënë në edukimin profesional të këtyre studentëve.

E në fund të saj, mësimdhënësit e ardhshëm ne betimin e tyre theksuan se me tërë qenien e tyre do t’i edukojnë nxënësit që të jenë në shërbim të atdheut.