MBYLLET EDICIONI I 19-të I UNIVERSITETIT VEROR NDËRKOMBËTAR TË PRISHTINËS
Njerëzit ishin pjesa më e mirë e përjetimit të Universitetit Veror Ndërkombëtar për studentin nga SHBA-ja, Nicholas Newton. "Pjesa më e mirë e Kosovës nuk është peizazhi, historia apo ushqimi. Ajo që e bën këtë vend të veçantë janë njerëzit. Askund nuk kam takuar njerëz kaq mikpritës dhe të ngrohtë si këtu. Ata çdoherë përgjigjeshin në pyetjet e mia të pafundme për gjuhën shqipe dhe më mësuan si të këndoj xhamadani vija-vija", tha Nick në fjalimin e tij emocionues në ceremoninë mbyllëse të UVP-së, mbajtur në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare.


Ndërkaq, Sihana Hoxha, edhe pse u shpreh e lumtur me pjesëmarrjen, nuk e mohoi faktin që është e dëshpëruar që këtij edicioni i erdhi fundi.
Kisha nderin të takoj studentët dhe profesorët, jo vetëm nga Kosova por edhe profesorët ndërkombëtarë. Uroj që të gjithë ju të ktheheni sërish vitin e ardhshëm dhe t’ua rekomandoni universitetin veror edhe të tjerëve, të cilët dëshirojnë të mësojnë më shumë dhe ta shijojnë verën njëkohësisht", tha Sihana.
Në anën tjetër, të jashtëzakonshme e konsideruan eksperiencën në UVP edhe profesorët ligjërues. Në emër të profesorëve ndërkombëtarë, profesor Vidyanidhee Vanarase nga India iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë: "Universiteti Veror i Prishtinës, përveçse ua jep mundësinë studentëve të njihen dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, ata mësojnë edhe nga aspekti akademik i profesorëve nga vende të ndryshme të botës, mësime këto me të cilat nesër do të vazhdojmë rrugën secili në vendet tona", ka theksuar profesor Vanarase.
Ndërkaq, fjalën e profesorëve vendorë në këtë ceremoni e adresoi profesoresha Sevdije Alshiqi, e cila tha se është shumë e lumtur që për herë të katërt ishte pjesë e profesorëve ligjërues të UVP-së.

Për kontributin e dhënë në organizimin e këtij edicioni të UVP-së, rektori Marjan Dema, i falënderoi të gjithë kontribuuesit.
Sot kur po shënojmë përfundimin e këtij edicioni të UVP-së, jemi mirënjohës për secilin prej jush, duke filluar nga ju profesorë dhe studentë ndërkombëtarë dhe vendorë, staf administrativ, donatorë, të cilët keni dhënë kontributin e juaj që për këto dy javë në universitetin veror, pjesëmarrësit të kenë mundësinë  të mësojnë gjëra të reja, të argëtohen dhe të përjetojnë përvojë të paharrueshme", ka thënë Dema.

Edicioni i sivjetmë i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës mblodhi në Prishtinë rreth 400 studentë nga e mbarë bota. Përveç kurseve të ndjekura, studentët patën mundësinë që të marrin pjesë edhe në punëtori të ndryshme, ekskursione në vende historike të Kosovës dhe aktivitete të tjera edukative dhe kulturore gjatë dy javëve sa zgjati universiteti veror.