Në UP organizohet tryeza që synon ndërlidhjen e studimeve me tregun e punës
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, dje ka zhvilluar tryezën e dytë të diskutimit, që synon ndërlidhjen e programeve studimore me tregun e punës.

Në tryezën “Menaxhimi i talenteve si një potencial për tregun e punës”, të organizuar nga Qendra për Zhvillim të Karrierës, në bashkëpunim me përfaqësuesit e tregut të punës, u diskutua për mundësinë e studentëve dhe të porsadiplomuarve në tregun e punës.

Duke porositur që shoqëria jonë t’i shfrytëzojë potencialet që ka, rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, tha se kjo tryezë është vazhdimësi e punës për realizimin e orientimit të studentëve drejt tregut të punës.

“Unë jam për atë që secilit student t’i jepet mundësia që ta tregojë veten dhe të depërtojë në tregun e punës, pavarësisht se kush është ai apo nga vjen. Gjithmonë, jam pro diversitetit, duke e pranuar tjetrin ashtu siç është”, tha Dema.

Ndërkaq, prorektorja për zhvillim dhe cilësi, prof. asoc. dr. Merita Koçinaj - Berisha, tha se këtë synim UP-ja po e arrin përmes qendrave të saj si QZHK-ja, Qendra e Inovacionit, Venture UP, zyrat akademike si dhe qendra të tjera, të cilat vazhdimisht organizojnë trajnime për studentë.

Nën moton “Punësueshmëria”, tryeza vazhdoi me diskutimet e përfaqësuesve të tregut të punës lidhur me mundësitë e bashkëpunimit me UP-në në punësimin e studentëve dhe të diplomuarve, ku shumë nga ta propozuan ide të reja, duke theksuar këtu nevojën e punës praktike në universitet.

Në këtë tryezë morën pjesë 26 përfaqësues të institucioneve, kompanive dhe organizatave nga sektori privat dhe publik, të cilat ofrojnë për studentët mundësi për avancim në karrierë.