UVP sjellë natë me motive tradicionale për studentët pjesëmarrës
Studentëve të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, të mbledhur në sallën “1 tetori”, iu servua mbrëmje e mbushur me motive nga kultura tradicionale shqiptare, e cila u karakterizua me këngë, valle e ushqim tradicional.

Edhe në këtë edicion të UVP-së, ansambli “Shota” solli çaste unike për pjesëmarrësit, të cilët vijnë në Prishtinë nga vende të ndryshme të botës.  

Se kjo mbrëmje ishte e rëndësishme e interesante për pjesëmarrësit ndërkombëtarë, tregoi profesori nga Virxhinia e SHBA-ve, prof. Terry Beitzel, i cili në këtë edicion të UVP-së ligjëron kursin për drejtësi tranzicionale.
“Për mua kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e marrjes së një edukimi, veçanërisht për të mësuar nga kultura juaj dhe për të vlerësuar edhe më shumë kulturën që keni. Dukej shumë profesionale për mua edhe pse nuk e dija kuptimin e tyre, por më duket se çdo valle ka historinë e saj. Ishte e mrekullueshme!”, ka thënë profesori Beitzel.
Ndërkaq, për studentin Kyle Bigman, ushqimi që pjesa më interesante e mbrëmjes.
“Ushqimi tradicional ishte i mrekullueshëm. Nuk isha i sigurt se çfarë po haja, por gjithçka kishte shije fantastike” u shpreh Bigman, student vizitor nga Kalifornia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Qëllimi i kësaj mbrëmjeje ishte njohja prej së afërmi me kulturën dhe traditat kosovare, me anë të prezantimit të muzikës, veshjeve dhe ushqimit tradicional. Këtë e bëri të ditur zyrtari administrativ i UVP-së, Altin Gashi, sipas të cilit, studentët dhe profesorët ndërkombëtarë duhet ta njohin Kosovën edhe përmes traditave, të cilat e karakterizojnë vendin tonë.
Ideja e realizimit të ngjarjes së sotme është që t’i familjarizojmë studentët ndërkombëtarë me vallet dhe traditat tona. Pra, ta njohin Kosovën edhe përmes kulturës, e cila e promovon vendin tonë përtej emrit dhe shtetësisë sonë”, theksoi Gashi.

Këtë vit, në UP po mbahet edicioni i 19-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar, ku po marrin pjesë rreth 400 studentë vendorë dhe ndërkombëtarë.