Studentët e lirisë diskutojnë për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë
Me rastin e 20-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, studentët e Degës së Gazetarisë dhe Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u takuan me studentët e Universitetit të Beogradit, përmes projektit të Deutsche Welles. Këta studentë, të lindur në vitin e lirisë, në vitin 1999, mbajtën një konferencë të përbashkët në Kumanovë, me ç’rast diskutuan për të ardhmen e të dy popujve.

Përveç konferencës, ata vizituan momentet historike në Shkup dhe në Kumanovë, vizituan vendin ku, para dy dekadave, Serbia ka nënshkruar kapitullimin përballë NATO-s.

E kjo përvojë për studentët do të mbetet e paharruar. Liza Sadiku, studente e Degës së Gazetarisë në UP, thotë se nga ky projekt ka mësuar që e kaluara me serbët nuk mund të ndryshohet, por duhet të shikohet nga e ardhmja.

“Ajo çka pashë të kolegët tanë nga Beogradi është se edhe me ideologji, sikurse me moshë, i përkasin një fryme të re, më liberale, më racionale. Ky projekt më ka ndihmuar të kuptoj që të kaluarën, sado që asnjëherë nuk duhet ta harrojmë, nuk mund ta ndryshojmë,” tha ajo.

Ndërsa, Advan Syla, student i Shkencave Politike në UP, tha se përvoja në Kumanovë ka qenë interesante.

“Ka qenë një eksperiencë mjaft interesante, sepse të përfaqësosh vendit tënd është një nder dhe privilegj mjaft i madh por edhe përgjegjësi e madhe. Ne kemi shkëmbyer mendime dhe qëndrime tona në mënyrë joformale dhe formale me studentët nga Beogradi”, tha Advani.

Studentët tanë udhëtuan bashkë me profesorët e Degës së Gazetarisë, prof. dr. Milazim Krasniqi dhe profesoresha dr. phil. Remzie Shahini – Hoxhaj, të cilët u shprehën se janë krenarë me studentët tanë pjesëmarrës.


“Studentë tanë vërtet na bënë krenarë në takimet me studentët e Beogradit. Në takimin joformal u imponuan me kulturë, në takimin formal me dituri e me vendosmëri të pabesueshme. Bashkëbiseduesit e tyre serbë dhe profesorët që ishin me ta thjesht u habiten”, tha profesori Krasniqi.


Projekti “#Generation99” ka nisur këtë vit në 20-vjetorin e përfundimit të luftës në mes të Serbisë dhe Kosovës, për të ndërtuar dialog në mes të rinjve shqiptarë dhe serbë të të dyja shteteve.