Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri përfiton donacion në vlerë prej 11.888 euro nga World Learning
Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri (QEQ) e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, pranoi një set pajisjesh në vlerë prej 11.800 euro si donacion nga World Learning. Në emër të World Learning pajisjet i dorëzoi z. Carl Hammerdorfer, udhëheqës i projektit Tranformational Ledership Program (USAID/MASHT), kurse në emër të QEQ-it ato i pranoi prof. dr. Naser Sahiti, shef i QEQ-it.

E pranishme në ceremoni ishte prof. dr. Myrvete Badivuku - Pantina, prorektore për Buxhet dhe Financa, bashkë me prof. dr. Shahin Berisha nga GateWay Community College (Arizonë-USA) dhe instruktorët e QEQ-it.

Seti i pajisjeve të dhuruara përbëhet nga: pajisjet për testimin e puthitshmërisë së mbështjellësit të jashtëm të ndërtesave (Minneapolis BlowerDoor Standard Set), kamera termike me rezolucion të lartë për termografi profesionale në industri dhe në ndërtesa (Testo 885) dhe pajisjet për matjen e nivelit të ndriçimit në hapësira (Testo 440 Lux-Set).

Të gjitha këto pajisje do të përdoren nga anëtarët e QEQ-it për ngritjen e cilësisë së kurseve certifikuese për studentët e UP-së, për realizimin e projekteve të auditimit energjetik në industri, në sektorin e ndërtimit si dhe për nevoja të kërkimeve shkencore lidhur me aktivitetet e QEQ-it.

Në kuadër të ceremonisë së dorëzim-pranimit, udhëheqësi i TLP-së z. Hammerdorfer uroi që donacioni i ofruar të shërbejë për realizimin e synimeve të QEQ-it. Ndërsa, profesori Sahiti në emër QEQ-it falënderoi z. Hammerdorfer për mbështetjen e vazhdueshme të QEQ-it dhe UP-së në përgjithësi, duke shpresuar se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.