Young Cell Scheme dhuron bursa dhe libra për studentët e UP-së
40 studentëve u janë ndarë bursa për të studiuar nivelin master në universitetet e Bashkimit Evropian. Këto bursa, shumica e të cilave u fituan nga studentë të Universitetit të Prishtinës, u dhuruan në aktivitetin e organizuar nga Young Cell Scheme, që u mbajt në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Për mundësinë e fituar, i lumtur është shprehur rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema. Rektori Dema shpreson që bursistët do të bëhen promotorë të ardhshëm të ndryshimeve në vend.
“Pres që bursistët të kthehen si liderë të përgatitur, në mënyrë që t’i bëjnë ato ndryshimet, për të cilat Kosova ka nevojë”, u shpreh Dema.


Krahas rektorit Dema, në takim mori pjesë edhe ambasadori i Britanisë, z. Ruairi O’Connell, ministrja e Integrimit Evropian, znj. Dhurata Hoxha, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Për realizimin e programit Young Cell Scheme, lideri i këtij projekti, z. Ezio Benedetti, falënderoi UP-në dhe rektorin Dema, duke i cilësuar ata si bashkëpunëtorë të shkëlqyer. Në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë nga UP-ja, Young Cell Scheme ia dhuroi universitetit 40 tituj të librave të përkthyer nga gjuhë të tjera në gjuhën shqipe. Ky donacion, sipas të parit të UP-së, do të plotësojë sadopak mungesën e literaturës për studentët e UP-së, si dhe do të ndihmojë në ndryshimin pozitiv të praktikës së të mësuarit tek studentët tanë.

Librat e dhuruar janë nga fusha e shkencave sociale, kryesisht nga juridiku dhe shkencat politike.