Ekipi i studentëve të UP-së, finalist në garën "UrbanFarm2019"
Albina, Dreni, Festa dhe Jetmiri janë studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ideatorë të projektit për Bujqësi Urbane, “UrbanFarm2019”.

Këta studentë të shkëlqyer të UP-së kanë realizuar këtë projekt, që konsiston me ndërtimin e një objekti të vjetër, i cili gjendet në Bolonjë të Italisë dhe që është emëruar si Fantoni Farm. Me këtë projekt, studentët kanë hyrë edhe në finale të garës “UrbanFarm2019”.

Në këtë garë, e cila është organizuar nga Universiteti i Bolonjës dhe Universiteti i Florencës në Itali, kanë aplikuar 38 ekipe nga e gjithë bota, ndërkaq ekipi i UP-së është kualifikuar në “Grand Finale” në mesin e 21 ekipeve të tjera. 

Albina tregon që punimin e këtij projekti e kanë filluar në muajin nëntor të vitit të kaluar. Për fazën e dytë të këtij projekti, studentët tanë kanë përgatitur një video, të publikuar në YouTube, të cilën duhet ta pëlqeni (klikoni butonin Like) për t’iu ndihmuar studentëve të UP-së që të jenë fitues në këtë garë. Linku i videos: https://www.youtube.com/watch?v=HdGkYN2ezKU 

#TeamUP është i përbërë nga studentë të fakulteteve të ndryshme brenda UP-së, si Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Arkitekturës. E pikërisht puna grupore ndërmjet fakulteteve të ndryshme, sipas Albinës, është mësimi më i mirë që ky projekt iu ka dhënë. 
“Një ndër gjërat më të mira që kemi mësuar nga ky projekt është bashkëpunimi ndërmjet vete, puna e palodhshme, si dhe fakti se e vetmja mënyrë për të krijuar gjëra inovative është bashkëpunimi ndërmjet drejtimeve të ndryshme të fakulteteve”.

Qëllimi kryesor i sfidës “UrbanFarm2019” është të dizajnojë sisteme inovative të bujqësisë urbane, të cilat integrojnë inovacionet më të mira arkitektonike dhe teknologjike për të prodhuar ushqim në mjedise urbane. Më shume rreth projektit gjeni në linkun: https://site.unibo.it/urban-farm-2019/en

Finalja e kësaj gare do të mbahet në Pordenone të Italisë, në periudhën 13 – 14 shkurt 2019.