QENDRA PËR PËRSOSMËRI NË MËSIMDHËNIE E PËRMBYLL VITIN 2018 ME 22 TRAJNERË

Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në përputhje të plotë me misionin dhe vizionin për zhvillimin e saj, e përmbyll vitin kalendarik me 22 trajnerë të certifikuar.

Dhjetë trajnerëve të lartë të QPM-së iu bashkuan edhe dymbëdhjetë trajnerë të rinj të certifikuar përmes Programit për Trajnimin e Trajnerëve. Përmes këtij projekti pesëfazësh të QPM-së, të disejnuar në bashkëpunim me World Learning - Transformational Leadership Program – Scholarships and Partnerships dhe Universitetin Shtetërorë të Arizonës me përkrahjen e USAID-it, dhe të implementuar në Prishtinë dhe në SHBA, u realizua synimi i QPM-së për zhvillimin dhe zgjerimin e kapaciteteve trajnuese, si dhe begatimin e ofertës së saj me kurse të reja trajnimi.

Me mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it dhe World Learning – TLP-SP, ngritja e kapaciteteve trajnuese të QPM-së po bëhet realitet pasi që një grup prej tre trajnerësh do ta realizojnë një vizitë studimore në mars të vitit të ardhshëm me qëllim të marrjes së informatave nga dora e parë përmes vizitës studimore në universitetet prestigjoze amerikane dhe krijimit të urave të bashkëpunimit më afatgjatë me universitetet përkatëse për realizimin e projekteve që janë me interes jetik për QPM-në.

Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie do të rifillojë me ofrimin e trajnimeve për stafin e rregullt të Universitetit të Prishtinës që nga janari i vitit 2019.