Universiteti i Prishtinës kampion basketbolli dhe volejbolli në Universiadën “Dubrovniku 2018”
Volejbollistet dhe basketbollistët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” janë shpallur kampionë të Universiadës, që u mbajt në qytetin Dubrovnik të Kroacisë, “Dubrovniku 2018”. Studentët e UP-së, në mesin e 16 ekipeve përfaqësuese nga rajoni, kanë fituar vendet e para në sportin e volejbollit (femrat) dhe basketbollit (meshkujt) në këtë kompeticion.

Për këtë sukses të arritur, rektori i UP-së, Prof. Dr. Marjan Dema, shpërbleu me mirënjohje studentët dhe trajnerët e ekipeve përfaqësuese. Ai falënderoi studentët që po lartësojnë emrin e Universitetit të Prishtinës kudo që po marrin pjesë, teksa përgëzoi për suksesin e shënuar dekanin e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Prof. Asoc. Musa Selimin, trajnerët dhe mësimdhënësit e tjerë.
“Përkundër vështirësive të shumta me të cilat jam i bindur që jeni ballafaquar gjatë rrugëtimit tuaj, ju falë punës që bëtë drejt realizimit të dëshirës, ëndrrës dhe vizionit tuaj, jeni rikthyer tek ne si kampionë, duke shkruar si fitues të kësaj gare emrin tuaj, të Universitetit  tuaj dhe te Kosovës, në një garë të tillë prestigjioze” tha Dema.

Ne anën tjetër, dekani Selimi, përgëzoi studentët dhe trajnerët për suksesin e treguar, ndërkaq falënderoi menaxhmentin e UP-së për mbështetjen dhënë FEFS-it. Me këtë rast, ai ne emër të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, shpërbleu me mirënjohje rektorin Dema, për mbështetjen dhe kontributin e dhënë në sport dhe edukim fizik.

Lojtarët që u shpallen kampionë në sportin e volejbollit në këtë universiadë janë: Fjolla Shabani, Blinera Jaha, Fjolla Hyseni, Rukije Muja, Florentina Deliu, Mirjeta Bylykbashi, Xhudjena Kruti, Leonita Hoxha dhe  Liridona Kurrumeli. Ndërkaq, ekipi i basketbollit, po ashtu kampionë, përbehej nga: Mërgim Jakupi, Ardit Osmani, Arian Mehmeti, Valon Bunjaku, Aron Laja, Berat  Gashi, Gazmend Hazeri, Petrit Emra, Qëndrim Demi, Almir Kruezi. Trajnerët e ekipeve janë profesorët: Dr. Sci. Florian Miftari dhe Dr. Sci. Bahri Gjinovci.