UP-ja certifikon 142 praktikantët dhe 13 vullnetarët e tij
Në rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u mbajt ceremonia e certifikimit të praktikantëve, të cilët e përfunduan me sukses programin e punës praktike në administratën e Universitetit të Prishtinës, si dhe grupit të studentëve vullnetarë.

Në fjalën e tij hyrëse, rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, i përgëzoi studentët e pranishëm për punën dhe suksesin e treguar, teksa theksoi edhe rëndësinë e punës vullnetare, të cilën e konsideroi vlerë të jashtëzakonshme. 
“Të dashur studentë, ju ishit shumë me fat sepse ju është mundësuar që hapat fillestarë për zhvillim të karrierës t’i realizoni në vatrën kryesore të dijes në vendin tonë. Andaj, gëzohuni nga kjo e arritur dhe shfrytëzojeni sa më mirë këtë mundësi”, tha Dema. Ai falenderoi edhe zyret nga Administrata Qendrore e Universitetit, si dhe njesitë akademike për bashkepunimin dhe mentorimin e këtyre studentëve. 

Përfundimin me sukses të punës praktike të studentëve dhe asaj vullnetare e përshëndeti edhe prorektorja për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. ass. dr. Merita Berisha.
“Si rrjedhojë e kësaj praktike, 80% e studentëve të gjeneratës së vitit 2017, praktikantë në UP, janë tashmë të punësuar, kurse të tjerët janë të angazhuar në programet të tjera certifikuese. Urojmë që edhe ju praktikantë të gjeneratës 2018 të keni rezultate të dalluara dhe të shërbeni si shembull për gjeneratën e ardhshme,” tha Berisha.

Në këtë ceremoni morën pjesë 61 praktikantë, të cilët e kryen praktikën profesionale në periudhën korrik–shtator 2018, 81 praktikantë, të cilët e përfunduan praktikën profesionale në periudhën tetor-dhjetor 2018, si dhe 13 vullnetarë, të cilët shërbyen gjatë periudhës tetor- dhjetor në aktivitetet e organizuara nga UP.