UP me ceremoni solemne shënon diplomimin e studentëve të gjeneratës 2017 - 2018
Sot Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizoi ceremoninë solemne të diplomimit të studentëve të gjeneratës 2017-2018

Të diplomuarit, familjarët e tyre dhe të pranishmit e tjerë, me fjalë rasti në këtë ceremoni, i përshëndeti rektori, prof. dr. Marjan Dema. Në fjalën e tij, Dema theksoi se vendi ka nevojë për ndryshim dhe në rrugëtimin drejt këtij ndryshimi, studentët e UP-së janë shpresa më e madhe. 
“Në këtë ditë, dua të shpreh admirimin tim për të diplomuarit që sot po i promovojmë, si dhe të shpreh besimin tim që ju, ambasadorët e këtij Universiteti, do të jeni liderët e ardhshëm të këtij vendi, do të menaxhoni dhe orientoni Kosovën tonë në rrugëtimin e saj drejt zhvillimit” tha Dema. Ai ndër të tjerash përgëzoi studentët, familjarët e tyre dhe profesorët për realizimin e këtij synimi.

Ai foli për të arriturat e UP-së, e në veçanti për ato të shënuara në arenën ndërkombëtare. Dema tha që menaxhimi i UP-së në dy vitet e fundit është bazuar mbi vlerat themelore të arsimit të lartë, siç janë: integriteti, transparenca, barazia, llogaridhënia, përgjegjësia, sinqeriteti dhe përgjegjësia publike.
“Universiteti ynë është më mirë se kurrë më parë. Ngritja e lartë në ranglistën Webometrics dhe përfshirja në databazën Scimago muajve të fundit, konfirmon pozitën tonë si Universiteti numër një në hapësirat shqipfolëse, si institucion akademik ku shkenca po zhvillohet në mënyrë rapide, si dhe vë në pah rrugëtimin e suksesshëm që kemi nisur drejt ndërkombëtarizimit” tha rektori Dema.

Të pranishmëve në këtë ceremoni iu drejtua me fjalë rasti edhe zëvendës ministri në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Heset Sahiti, i cili tha që momenti i tillë nuk i bënë krenarë vetëm studentët, por gjithë vendin. 
“Të jesh student i UP-së dhe të marrësh diplomë nga ky Universitet, është një moment shumë i veçantë. Nga ky Universitet kanë dalë shumë emra eminentë, të cilët na kanë bërë krenarë. Duke ju uruar për sukseset e arritura, ju uroj shumë fat dhe sukses në rrugëtimin e mëtejshëm” tha Sahiti.

Në këtë ceremoni, rrugëtimin e të diplomuarve me fjalë rasti e adresoi e diplomuara nga Fakulteti Juridik, znj. Laureta Rexhepi. Diplomimin në UP e konsideroi si një çast krenarie për veten dhe të gjithë kolegët e saj.
“Universiteti i Prishtinës është vetë pasqyra e ndryshimit që çdo i ri e kërkon. Kur Universiteti ofron cilësi dhe mundësi, atëherë ne studentët jemi më të gatshëm të ballafaqohemi me të ardhmen” tha Laureta në fjalën e saj.

Ceremonia e diplomimit u karakterizua edhe me muzikë të ekzekutuar nga studentë dhe staf akademik i Fakultetit të Arteve, të cilët ekzekutuan pikën muzikore “Baresha” për të pranishmit. 

Kjo është ceremonia e tretë e diplomimit që Universiteti i Prishtinës është duke organizuar për studentët e tij. Në këtë ceremoni morën pjesë të diplomuar nga 13 njësitë akademike të UP-së.