Studentët pinë kafenë e mëngjesit me rektorin Dema – diskutohet për jetën studentore në UP
Kafenë e sotme të mëngjesit rektori Dema e konsideroi si kafenë më të mirë që ka pirë ndonjëherë. Kjo për faktin që ajo ishte e shoqëruar nga diskutimi me studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të cilët iu përgjigjen thirrjes së Rektorit të tyre për të biseduar lidhur me jetën studentore në UP.

I shoqëruar nga prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, prof. dr. Hysen Bytyqi, këshilltari juridik, prof. asoc. Flamur Hyseni dhe asistentja e tij, znj. Blerta Dibrani, rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, bisedoi nga afër me studentët lidhur me shqetësimet e tyre dhe idetë që kanë për përmirësimin e jetës studentore në kampusin e UP-së.

Ai i ftoi studentët që të angazhohen dhe të bëhen pjesë e transformimit të Universitetit të Prishtinës, teksa i siguroi që menaxhmenti i UP-së është çdo herë në dispozicionin e tyre për të dëgjuar ankesat, kërkesat dhe idetë për ndryshim.
“Në universitetin tonë studenti është në qendër. Në këtë rrugëtim, ne dëshirojmë që të jeni ju ata që do të vazhdoni dhe ideoni tutje transformimin e këtij universiteti. Unë pres nga ju shumë angazhim dhe ide në rrugëtimin drejt ndryshimit të UP-së, sepse pa ndryshimin e Universitetit të Prishtinës nuk ka ndryshim të Kosovës,” tha Dema.

Studentët e pranishëm, të cilët ishin nga Fakulteti Juridik, Ekonomik, Filozofik, i Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe i Edukimit, njëzëri u shprehen të lumtur për takimin me rektorin Dema, ndërkaq idenë për realizimin e një takimi të tillë e konsideruan si unike, por edhe shumë të nevojshme për Universitetin. Ata shprehen idetë e tyre dhe kërkesat për progres në fushën e mësimdhënies, në kontaktin profesor – studentë, në fushën e informacionit dhe teknologjisë, e të tjera çështje lidhur me Universitetin dhe partneritetin ndërkombëtar, për të cilat morën përgjigje në kohë reale nga rektori dhe ekipi i tij.

Studentët pjesëmarrës në këtë takim ishin: Lirik Veselaj, Fjolla Vukshinaj, Jeton Rugovaj, Beart Hyseni, Egzon Kelmendi, Muhamed Veliu, Adelina Morina, Flaka Spaqi dhe Dafina Shala.

Takimet e studentëve me rektorin, nga tani e tutje, do të jenë takime të përmuajshme, gjatë të cilave do të diskutohet për tema të ndryshme që prekin cilësinë e jetës studentore në UP. Ky takim i thirrur nga rektori Dema është organizuar me qëllim që menaxhmenti të jetë sa më i informuar me sfidat e studentëve në përditshmërinë e tyre gjatë studimeve në UP.

Takimi i sotëm u zhvillua nën motot: “Së pari studentët” dhe “Unë jam UP”.