Rektori Dema shpërblen me mirënjohje prof. dr. Bajram Berishën, fitues i çmimit “Zietzschmann-Preuss“
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, ka shpërblyer me mirënjohje profesorin e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në UP, prof. dr. Bajram Berishën. Profesor Berisha është shpërblyer me mirënjohje nga UP-ja për kontributin e dhënë në promovimin e kërkimeve shkencore në fushën e embriologjisë veterinare dhe suksesin e treguar duke u shpërblyer me çmimin “Zietzschmann-Preuss“ për vitin 2017 nga Këshilli Drejtues i Fondacionit Shkencor Ndërkombëtar “Zietzschmann-Preuss Award”.

Dema ka përgëzuar profesor Berishën për hulumtimet e realizuara si dhe për shpërblimin e fituar, teksa e ka falënderuar për kontributin qe ka dhënë në vazhdimësi për ngritjen shkencore të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe UP-së në përgjithësi.
“Emri yt çdo herë ka nderuar jo vetëm Universitetin e Prishtinës, por gjithë vendin. Hulumtimet e juaja dhe të gjitha hulumtimet e stafit akademik kanë ndikuar që UP-ja të ngritët edhe më lartë në ranglista botërore për hulumtime shkencore” tha Dema.

Në anën tjetër, profesor Berisha u shpreh i lumtur për mirënjohjen që i është ndarë nga Universiteti i Prishtinës. Ai falënderoi Rektorin Dema për pritjen, teksa informoi të pranishmit lidhur me rrugëtimin e tij deri tek ky shpërblim për të cilin ai tha që është punë grupore, mirëpo shpërblimi kryesor i është ndarë Universitetit të Prishtinës.

Këshilli Drejtues i Fondacionit Shkencor Ndërkombëtar “Zietzschmann-Preuss Award“ me seli në Gent të Belgjikës (http://www.wava-amav.org/zp/) e ka nderuar profesor Berishën me çmimin “Zietzschmann-Preuss” për vitin 2017. Ky çmim që i dedikohet promovimit të kërkimeve shkencore në fushën e embriologjisë veterinare, i ndahet vetëm një autori gjatë një viti dhe menaxhohet nga Asociacioni Botëror i Anatomëve të Veterinarisë (WAVA, http://www.wava-amav.org/).

Po ashtu, profesor Berisha këtë vit është nominuar për titullin “Ambasador i Universitetit Teknik të Munihut” në Gjermani (https://www.together.tum.de/en/alumni/research/ambassadors). Këtë çmim e ndan presidenti TUM-it (Technical University of Munich) në vigjilje të 150 vjetorit të themelimit të Universitetit. Me këtë titull nderohen shkencëtarët të cilët kane dhënë kontribut të veçantë në ngritjen e imazhit dhe reputacionit të Universitetit.