Rektori Dema merr pjesë në ceremoninë e mbrojtjes së temave të diplomave të mësuesve të ardhshëm
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema vizitoi sot Fakultetin e Edukimit të UP-së, ku mori pjesë në ceremoninë e mbrojtës së temave të diplomave baçelor të studentëve të këtij Fakulteti.

Studentët e tri programeve nga ky Fakultet kanë realizuar hulumtime në shkollat dhe kopshtet e Kosovës dhe gjetjet e tyre i prezantuan përmes posterëve.

Dema uroi studentët për diplomimin e tyre dhe për përzgjedhjen e paraqitjes së të gjeturave me një metodë të re dhe unike, që sipas Rektorit tregon për kreativitetin e studentëve tanë.
“Nga zemra uroj që të gjithë ju që jeni përcaktuar për detyrën sublime të mësuesit, të shërbeni me vullnet dhe dashuri, të përhapni dije dhe dritë tek fëmijët dhe shoqëria, sepse vetëm në këtë mënyrë do orientojmë timonin e rrugëtimit të kësaj shoqërie drejt zhvillimit të saj. Unë çdo herë potencoj që mësimdhënia është profesioni më i çmuar, më i dobishëm për shoqërinë dhe që ka ndikimin më të madh në lumturinë e përbashkët” tha Dema. Ai shtoi që mësimdhënia është i vetmi profesion nga i cili krijohen të gjitha profesionet e tjera dhe ky fakt dëshmon mjaftueshëm për rëndësinë e kësaj detyre.

Diplomimin e studentëve me këtë metodë të prezantimit e vlerësoi edhe dekani i Fakultetit të Edukimit, prof. dr. Ethem Çeku. Ai përgëzoi studentët për hulumtimet e realizuara dhe metodën e paraqitjes së tyre, teksa falënderoi Rektorin Dema për mbështetjen e madhe që është duke i dhënë Fakultetit të Edukimit në procesin e transformimit të tij.

Pjesë e komisionit vlerësues ishte Prof. Ass. Majlinda Gjelaj, njëherësh prodekane e këtij Fakulteti. Gjelaj foli për punën e studentëve të cilët kanë realizuar hulumtime interesante në shkollat dhe kopshtet e Kosovës dhe theksoi që këta studentë janë në mesin e studentëve më të mirë të gjeneratës në këtë Fakultet.

Me këtë rast, Rektori Dema vizitoi edhe hapësirën brenda Fakultetit të Edukimit ku është duke u bërë regjistrimi i studentëve të rinj. Stafi njoftoi Rektorin që është duke pasur interesim të madh të aplikuesve për studentë të rinj në këtë Fakultet dhe që të gjithë studentët që kanë aplikuar deri me tani në këtë njësi akademike të UP-së janë studentë me sukses të shkëlqyer.