Ndahen certifikatat për praktikantët e UP-së
Salla e Senatit në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ishte hapësira pritëse e praktikantëve që kanë përfunduar me sukses Programin e Punës Praktike në Administratën e Universitetit të Prishtinës për periudhën prill – qershor 2018.

Rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, bëri shpërndarjen e certifikatave për studentët e pranishëm, të cilët i përgëzoi për suksesin e treguar. Teksa i motivoi që të vazhdojnë tutje, që krahas studimeve të zhvillojnë karrierën e tyre duke u lidhur edhe me tregun e punës, Dema tha se të gjithë ekspertët dikur kanë qenë fillestarë dhe këta studentë janë shumë me fat që hapat e parë të punës i kanë kryer në Universitetin e Prishtinës.
“Të dashur studentë, ju ishit shumë me fat sepse u është mundësuar që hapat fillestarë për zhvillim të karrierës t’i realizoni në vatrën kryesore të dijes, në institucionin më profesional të arsimit të lartë në vendin tonë. Andaj, gëzohuni nga kjo e arritur dhe shfrytëzoni sa më mirë këtë mundësi”, theksoi Dema.

Përfundimin me sukses të punës praktike të studentëve e përshëndeti edhe prorektori për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. dr. Hysen Bytyqi. Prorektori Bytyqi përgëzoi studentët për këtë sukses të tyre, teksa premtoi krijimin e mundësive të reja për ngritjen profesionale të studentëve.

Që nga viti 2017, menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i bazuar në Planin Strategjik të zhvillimit në UPHP, promovon dhe siguron praktikën brenda hapësirave të Universitetit për studentët dhe të diplomuarit e tij.

Ky program i punës praktike synon zhvillimin praktik të shkathtësive në fushën administrative dhe atë laboratorike. Ky kombinim vë në funksion shfrytëzimin e kapaciteteve humane dhe hapësirave profesionale që studentët dhe të diplomuarit e UP-së të përfitojnë nga mundësia e njohjes së fushave të reja praktike të cilat mund t’i hasin në të ardhmen në tregun e punës.

Ky program i punës praktike parasheh tri gjenerata studentësh. Gjenerata në ardhje përbëhet nga 97 studentë dhe të diplomuar, të cilët do të jenë të angazhuar në programin e punës praktike në periudhën korrik –shtator 2018.