Certifikohen studentët pjesëmarrës në trajnimin mbi zhvillimin e shkathtësive për aplikim në punë
Sot në hapësirat e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u zhvillua ceremonia e ndarjes së certifikatave për studentët pjesëmarrës në Trajnimin mbi zhvillimin e shkathtësive për aplikim në punë.

Prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar të UP-së, prof. asoc. Dr. Merita Koçinaj – Berisha bëri shpërndarjen e certifikatave për studentët përfitues. Prorektorja përgëzoi të trajnuarit për këtë sukses, teksa iu premtoi që Universiteti i Prishtinës do të qëndrojë afër tyre me mundësi të reja për zhvillimin e karrierës.
“Synim  i  menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është aftësimi cilësor dhe përgatitja akademike në vazhdimësi e studentëve dhe të diplomuarve, me qëllim punësimin e tyre në tregun e punës. Prej këtej, finalizimi me sukses i këtij trajnimi paraqet një hap tutje drejt arritjes së këtij synimi”, tha prorektorja Berisha.

Ndërkaq, Leonita Vokrri, studente pjesëmarrëse në këtë trajnim, foli për eksperiencën e saj gjatë periudhës së këtij trajnimi.
“Gjatë trajnimit kemi takuar kolegë të rinj me të cilët kemi shkëmbyer përvoja të reja. Bashkë me ta kemi mësuar se si t’i përshtatemi tregut të punës duke mësuar të përpilojmë një CV, letër motivuese dhe si të përgatitemi për intervistë të punës” tha Vokrri.

Që nga viti 2008, Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina“ ofron shërbimin e trajnimeve si një mundësi e zhvillimit të shkathtësive ekstrakurikulare për studentët dhe të diplomuarit e Universitetit të Prishtinës.  Trajnerët Shkumbin Tafilaj -  specialisti i trajnimit dhe Elmedina Nikoçeviq – Kurti - specialiste e trajnimit, ndajnë këtë mundësi në baza mujore për studentët dhe të diplomuarit e Universitetit.  Modulet trajnuese përmbajnë pjesën teorike, atë të ushtrimeve dhe testit të arritshmerisë.

Objektivat e trajnimit

Synohet që në fund të trajnimit të certifikuarit do të jenë në gjëndje të kuptojnë bazat e qasjes në tregun e punës si dhe do të jenë në gjendje të trajnohen në përputhje me metodat dhe teknikat e përdorura për specifikat e punësueshmerës.

Më specifikisht, studentët aftësohen në:  

  • Identifikimin e nevojave për trajnim;
  • Njohjen me metodat e qasjes në tregun e punës;
  • Strukturën e një trajnimi duke analizuar të gjitha fazat e trajnimit;
  • Zhvillimin e shkathtësive të komunikimit dhe prezantimit;
  • Përpilimin e dokumenteve bazë për portofolio;
  • Përgatitja për intervistë pune;
  • Teknikat e përpilimit të një projekt-plani;
  • Analizën SWOT dhe TOWS;
  • Përdorimin e teknikave të ndryshme të pjesëmarrjes në trajnim që përfshijnë aktivisht pjesëmarrësit, etj.

Metoda e trajnimit

Trajnimi është i organizuar në module të cilat mund të përshtaten sipas nevojave të pjesëmarrësve. Theksi është vënë në aspektin teorik,  praktikë dhe atë të ushtrimeve. Trajnimi përfshijnë punën në grup, diskutime, simulime, prezantime të shkurtra, etj.

Materialet e moduleve

Të gjithë pjesëmarrësve u ndahet Manualin mbi Bazat e Trajnimit. Gjithashtu, përgjatë sesioneve varesisht mbi temën e trajtuar, studentëve ju ndahen materiale këshilluese. Në përfundim të trajnimit pjesëmarrësit pajisen me çertifikatën e cila dëshmon pjesëmarrjen në trajnim.