Rektori Dema takon ambasadoren greke në Prishtinë – synohet thellimi i bashkëpunimit në nivel universitar
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, priti sot në takim Shefen e Zyrës Diplomatike të Greqisë në Kosovë, ambasadoren Chryssoula Aliferi. Dema në këtë takim ishte i shoqëruar nga prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. asoc. dr. Merita Koçinaj – Berisha.

Në këtë takim u diskutuan mundësi të shumta për thellimin e bashkëpunimit në nivel universitar në mes të Kosovës dhe Greqisë.

Rektori Dema falënderoi ambasadoren Aliferi për vizitën, teksa e informoi me sfidat dhe të arriturat e UP-së, ku theksoi punën që është bërë në stabilizimin dhe reformimin e Universitetit. Dema tregoi që UP-ja ka marrëveshje bashkëpunimi në nivel universitar me institucione greke, por dëshiron që ky bashkëpunim të zgjerohet edhe më tepër në vazhdimësi.

Në anën tjetër, ambasadorja Aliferi shprehu vullnet të madh për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë në mes te të dyja vendeve. Ajo tha që është e impresionuar me punën që është bërë në UP së fundi.
“Jeni përballur me shumë sfida dhe vështirësi, por ne jemi të impresionuar me punën që keni bërë. UP është shansi i fundit përmes të cilit njerëzit kalojnë tek shoqëria, andaj rëndësia e tij është e jashtëzakonshme” theksoi Ambasadorja.

Rektori Dema dhe ambasadorja Aliferi u dakorduan që menjëherë të fillojnë punën në thellimin e këtij bashkëpunimi, duke nisur me mundësinë e sigurimit të bursave për studim në Greqi për studentët kosovarë.