Fakulteti i Edukimit i UP-së kujton Skënderbeun 550 vjet pas rënies së tij
Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, kanë organizuar manifestimin kulturor-artistik “Ditët e Skënderbeut” të mbajtur në amfiteatrin e këtij Fakulteti.

Rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema tha se ky aktivitet është një aktivitet i nevojshëm për të na rikujtuar edhe një herë madhështinë e Skënderbeut e cila, sipas tij, përkundër kalimit të viteve vazhdon të qëndrojë si një udhërrëfyes për të gjithë ne.  

“Në më tepër se dy vite të këtij menaxhmenti, kemi tentuar që frymën kastriotiane ta rijetojmë, duke vendosur interesin e përgjithshëm para çdo interesi personal mu ashtu siç veproi heroi ynë Skënderbeu, dhe kur Universiteti i Prishtinës të jetë mirë, sigurisht që edhe Kosova do të jetë mirë” tha Dema.

Aktivitetin “Ditët e Skënderbeut” e nderoi me fjalë rasti edhe ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Gashi. Ministri Gashi luftërat e shqiptarëve i konsideroi si lumenj të epokave që rrjedhin pa u ndalur, teksa cilësoi historinë e Skënderbeut si pjesë të rëndësishme të historisë për mbijetesë, ruajtje të identitetit, territoreve shqiptare dhe faktorizimin e elementit shqiptar.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ish-presidenti i Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu. Sipas tij, Skënderbeu është i papërsëritshëm dhe gjithmonë duhet ta gjejmë atë brenda nesh.
Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Edukimit, prof. ass. dr. Ethem Ceku, falënderoi rektorin Dema për mbështetjen dhënë këtij Fakulteti, pa të cilën mbështetje do ishte i pamundur avancimi mësimdhënies në këtë Fakultet dhe organizimi i aktiviteteve të tilla. Ndërsa, në fjalën e tij para të pranishmëve, zëvendës ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Heset Sahiti u shpreh jashtëzakonisht i kënaqur me organizimin e një përkujtimi të tillë.

Programi i aktivitetit “Ditët e Skënderbeut” u përcoll me pika artistike të performuara nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve “Shota”, pastaj pikë nga nxënësit e Shkollës “Ismail Qemali”, ekzekutimi teatral i tragjedisë “Skënderbeu” nga Ethem Haxhiademi, e të tjera pika.

Pas përfundimit të programit u bë përurimi i bibliotekës së re të Fakultetit të Edukimit dhe hapja e dy ekspozitave, të titulluara: “Lirinë e gjeta këtu” dhe “Gravura për Skënderbeun”.