Thirrja për aplikim të studentëve në programet certifikuese të Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri

Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri e Universitetit të Prishtinës (QEQ) ju fton të bashkoheni në programet më aktuale dhe më inovative ndërdisiplinore në Universitetin e Prishtinës – programet certifikuese të QEQ:

  1. “Energjia e Ripërtëritshme dhe Qëndrueshmëria”
  2. “Menaxhimi i Energjisë në Komunitet

Studio disa nga sfidat më aktuale në botë – ndryshimet klimatike, qëndrueshmërinë energjetike, mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin e energjisë në komunitet dhe më shumë – me profesorë kryesorë nga Universiteti i Prishtinës dhe nga jashtë. Programet do të ofrojnë kurse të fokusuara nga shumë fakultete. Të diplomuarit e programeve do të marrin certifikatë universitare krahas diplomës së tyre bachelor apo master.

Të drejtë aplikimi kanë studentët nga të gjitha fakultetet e Universitetit të Prishtinës të cilët kanë të regjistruar së paku semestrin e dytë të studimeve bachelor si dhe të gjithë studentët e nivelit master. Programi fillon në semestrin verorë të vitit akademik 2020/21.

Për të marrë certifikatën e veçantë universitare “Energjia e ripërtëritshme dhe qëndrueshmëria”, dhe “Menaxhimi i Energjisë në Komunitet” studentët, brenda periudhës dy vjeçare, duhet të përfundojnë me sukses katër kurse nga lista e kurseve ndërdisiplinore të ofruara në QEQ (varësisht në cilin program janë regjistruar), përkatësisht të fitojnë 20 kredi ECTS. Çdo kurs do të ofrojë pesë kredi ECTS të cilat do të llogariten si shtesë e kredive të fituara në kuadër të programeve përkatëse të diplomimit të studentit.

Disa nga titujt e kurseve që do të ofrohen në kuadër të programit “Energjia e ripërtëritshme dhe qëndrueshmëria” janë: “Bazat e Energjisë së Ripërtëritshme”, “Hyrje në Kiminë e Gjelbër”, “Energjia dhe Ndryshimet Klimatike”, “Energjia Diellore dhe Fotovoltaikët”, “Bazat e Ligjeve Mjedisore” etj., kurse disa nga kurset që ofrohen në kuadër të programit “Menaxhimi i Energjisë në Komunitet” janë: ”Parimet e menaxhimit të energjisë”, “Promovimi i energjisë së pastër dhe përfshirja e komunitetit”, “Gjurmët ekologjike dhe qëndrueshmëria”, “Ekonomia e projekteve të qëndrueshme energjetike”, “Bazat e së drejtës mjedisore”, etj.

Tarifa e regjistrimit për programin certifikues është e njëjtë me tarifën semestrale për studimet e rregullta Bachelor (25 Euro).

Studentët e interesuar për programet certifikuese mund t’i marrin të gjitha informatat në web faqen e QEQ: qeq.uni-pr.edu.

Aplikimet e kompletuara dorëzohen në zyrat e QEQ (Administrata Qëndrore) në periudhën 15 Janar - 07 Shkurt 2021.

Procedura e aplikimit realizohet përmes: https://studenti.uni-pr.edu/