UP-ja dhe MKRS-ja nënshkruajnë memorandum për mbështetje të studentëve në fushat e trashëgimisë kulturore
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Ministria e Kulturës, Rinise dhe Sportit kanë nënshkruar memorandum të bashkëpunimit, për të ofruar bursa për studentë të UP-së për specializim në fushën e trashëgimisë kulturore.

Ky projekt, i cili u nënshkrua nga rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, dhe ministrja Vlora Dumoshi, ka për qellim aftësimin dhe avancimin e studentëve në programet e specializuara për trashëgimi kulturore, në universitetet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

Rektori Dema tha se ka qenë kënaqësi të bashkëpunojë me MKRS-në, e cila rëndësi të madhe i ka kushtuar bashkëpunimit me UP-në.
“Investimi më i mirë në ndryshime pozitive është investimi në universitet. Ky memorandum do të jetë një stimulim i madh për të studiuar e hulumtuar në tri fusha që fatkeqësisht nuk janë prekur përpara, në arkitekturë/konservim, antropologji dhe arkeologji. Dhe sigurisht që ato bursa që do të ndahen do të japin një mundësi më të madhe që të kemi ekspertë në këto fusha”, tha ndër tjera rektori Dema.

Ministrja Dumoshi, në fjalën e saj, u shpreh se është një nder të jetë e pranishme në Rektoratin e UP-së, për të kryer ceremoninë e nënshkrimit të këtij memorandumi.
“Ne jemi të gatshëm që studentët më të mirë që do t’i përzgjedhë UP-ja t’i përkrahim që ata të studiojnë dhe të marrin ekspertizën në universitetet më të mira të BE-së dhe më pas të kthehen dhe të punojnë në vendin tonë,” tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Ky memorandum parasheh bursa për studentët e shkencave arkeologjike – deri në katër bursa; Antropologji Fizike dhe/apo Biologjike – deri në dy bursa; Antropologji Kulturore apo/dhe Linguistike – një bursë; Arkeologji Klasike ose Histori e Artit – një bursë; Arkitekturë/Konservim dhe restaurim – një bursë.