Studentët e UP-së, me medalje në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare për Studentë - IMC 2020
Fiton Hoxha dhe Erion Hamiti janë dy studentët e Departamentit të Matematikës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, të cilët dolën triumfues në Olimpiadën e 27-të Matematike Ndërkombëtare për Studentë.

Studentët, të cilët e përfaqësuan Kosovën në këtë garë, fituan çmimin e dytë (medalje të argjendtë) dhe çmimin e tretë (medalje të bronztë) në këtë garë, në mesin e 546 pjesëmarrësve.

Fiton Hoxha, fitues i vendit të dytë, u shpreh i lumtur për këtë sukses të shënuar. “Suksesi që kam arritur në këtë garë është pasqyrë e angazhimit tim gjatë studimeve, si dhe dëshmi se me njohuritë e fituara në universitetin tonë, mund të renditemi përkrah studentëve më të mirë nga universitetet më të njohura ndërkombëtarisht” tha Fitoni.

Mirënjohje nderi në këtë kompeticion kanë fituar edhe studentët Monika Bunjaku dhe Duart Nishefci.

IMC-ja është ndër garat më të rëndësishme botërore të matematikës për studentë universitarë, në të cilën marrin pjesë studentë nga universitete prestigjioze nga të gjitha anët e botës.

Menaxhmenti i UP-së i përgëzon studentët për paraqitjen e tyre në këtë garë të rëndësishme, duke falënderuar edhe Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës për mbështetjen e dhënë për të rinjtë e talentuar në fushën e matematikës.

Olimpiada e sivjetme është mbajtur online, si pasojë e rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19.