UP-ja shënon ngritjen e radhës në renditjen e universiteteve në Webometrics

Universiteti i Prishtinës ka shënuar ngritje në renditjen e Webometrics-it për periudhën janar-korrik 2020. UP-ja, sipas azhurnimit të fundit, është ngritur për 83 pozita në renditjen botërore, si dhe për 22 pozita në renditjen kontinentale. Sipas rezultateve të Webometrics, Universiteti i Prishtinës vazhdon të jetë lider i arsimit të lartë në hapësirën shqipfolëse.

Për rektorin e UP-së, prof. dr. Marjan Dema, fakti që UP-ja po ngritet në çdo edicion të azhurnuar nga Webometrics, paraqet lajm pozitiv për arsimin e lartë, në këtë situatë kur vendi dhe bota po përballet me pandeminë COVID-19, e cila ka afektuar edhe sektorin e arsimit. Dema këtë sukses ia atribuon stafit akademik të UP-së, teksa për këtë arritje, përgëzon organet drejtuese dhe menaxhuese, stafin administrativ dhe studentët e UP-së, si dhe falënderon stafin e Zyrës për Kërkime dhe Projekte të Sponsorizuara (ZKPS).

Rangimi i universiteteve i Webometrics-it merr parasysh katër kritere për rangimin e institucioneve akademike, dy që lidhen me numrin e citimeve të stafit akademik dhe numrin e publikimeve në revistat më të mira shkencore dhe dy që lidhen me praninë digjitale përmes vëllimit të informacionit të plasuar në uebsajt. 

Meritat në ngritjen në rangimin e Universitetit të Prishtinës, në veçanti i atribuohen shtimit të citimeve të publikimeve të stafit akademik me profil institucional, hapa të cilët janë ndërmarrë me iniciativë dhe asistencë të ZKPS-së, e themeluar në qershor të viti 2017.

Webometrics është një prej rangimeve më të rëndësishme botërore, i zhvilluar nën patronatin e Këshillit të Lartë të Kërkimit Shkencor (Consejo Superior de Investigaciones Cientificas - CSIS), me qendër në Madrid, njësi e Ministrisë së Edukimit të Spanjës.

Më shumë rreth Webometrics, gjeni në linkun e zyrtar të ueb faqes së tyre: http://www.webometrics.info/, ndërkaq për edicionin e sapo publikuar, klikoni linkun në vijim: http://www.webometrics.info/en/current_edition