UP-ja dhe KOK-u lidhin marrëveshje bashkëpunimi për krijimin e këndit olimpik në kampusin e UP-së
30 drurë të rinj u mbollën dje në hapësirat e kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke përuruar kështu këndin olimpik në kuadër të kampusit. Ky aktivitet u organizua nga Komiteti Olimpik i Kosovës, në bashkëpunim me UP-në, në Ditën Olimpike Ndërkombëtare.

Aktivitetit i parapriu nënshkrimi  i memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe KOK-ut.

Për arritjen e këtij partneriteti, i lumtur u shpreh rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, i cili njëherësh falënderoi KOK-un që ka qenë bashkëpunëtor i afërt i UP-së në shumë aktivitete të tjera paraprake.
“Me anë të këtij memorandumi ne do të bashkëpunojmë në gjelbërimin e kampusit të UP-së, i cili gjendet në pjesën më të bukur të kryeqytetit,” theksoi rektori.

Në anën tjetër, kryetari i KOK-ut e falënderoi rektorin Dema për mbështetjen e dhënë për sportin, teksa e përgëzoi për punën e bërë në UP, duke theksuar që “viteve të fundit, UP-ja ka dhënë vulën e suksesit si institucion”.

Me anë të këtij memorandumi, UP-ja dhe KOK-u do të bashkëpunojnë në përmirësimin e hapësirës gjelbëruese të UP-së, respektivisht UP-ja do të lejojë që në një pjesë të oborrit të Universitetit të Prishtinës të themelohet këndi olimpik, ku KOK-u do të mbjellë drurë dhe lule sipas planit të hartuar nga komisioni i UP-së.

Me anë të MOU-së parashihet që KOK-u çdo vit, për 5 vjet me radhë, të mbjellë nga 200 drurë në hapësirat e kendit olimpik të kampusit të UP-së.