UP dhe MKRS-ja nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nënshkruar memorandum të bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke shënuar kështu Ditën Ndërkombëtare të Muzeve.

Memorandumi u nënshkrua nga ministrja Vlora Dumoshi dhe rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema,

Rektori Dema u shpreh i lumtur që po nënshkruhet ky memorandum i bashkëpunimit, pasi që Muzeu i Historisë së Natyrës do të ketë një rëndësi të madhe, jo vetëm për komunitetin, por edhe për Universitetin e Prishtinës, për shkak rolit edukativ që do të ketë ai.
“Me anë të ndihmës në ekspertizë që UP-ja do t’ia jep këtij muzeu do të plotësohet një vakum që ka ekzistuar në këtë fushë, andaj, me këtë rast, dua të falënderoj Ministren për mbështetjen e dhënë në realizimin e projektit në fjalë”, u shpreh Dema.
Ndërkaq, në fjalën e saj, ministrja Dumoshi, e vlerësoi se institucioni i muzeut është një thesar i pasur i vendit dhe i rëndësishëm në spektrin kombëtar e ndërkombëtar.
“Ruajtja dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore të vendit tonë është qëllimi ynë parësor dhe i përbashkët. Ne sot do të nënshkruajmë marrëveshjen e bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës me qëllim të rithemelimit të Muzeut të Historisë së Natyrës, në funksion primar si muze dhe si qendër edukimi mbi historinë e natyrës”, tha ministrja Dumoshi.

Qëllimi i memorandumit është rithemelimi i Muzeut të Historisë së Natyrës në Kosovë, institucion ky i cili ka funksionuar nga 1951 deri më 2001.

Sipas memorandumit, MKRS-ja ka për obligim të ndërtojë infrastrukturën adekuate për Muzeun në fjalë, me gjithë hapësirat përcjellëse, financimin dhe ndihmesën e mbledhjes së fondeve për eksponatet dhe koleksionin e Muzeut, mbështetjen e vazhdueshme të Muzeut si institucion kulturor publik.

Ndërsa, UP-ja, konkretisht Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, ka për obligim ndihmën në aspektin shkencor dhe teknik të hulumtimeve dhe ekspozitave për Muzeun e Historisë së Natyrës, pasurimin e koleksionit të Muzeut të Historisë së Natyrës, konservimin, kërkimin, mbledhjen dhe përhapjen e diturisë mbi natyrën në Kosovë, vënien në dispozicion të kuadrit profesional për Muzeun.

18 maji është Dita Ndërkombëtare e Muzeve, që koordinohet nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM), pjesë e të cilit është edhe Republika e Kosovës.