Profesori i UP-së, Lul Raka, zgjedhet "Evropiani i Vitit 2020"

Profesorit të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina", prof. asoc. dr. Lul Rakës, i është ndarë çmimi “Evropiani i Vitit 2020”, nga zyra e Bashkimit Evropian e Kosovës.

Këtë çmim, profesori Raka e ka pranuar nga Ambasadorja Nataliya Apostolova, në një ceremoni të transmetuar drejtpërdrejt në faqen në Facebook të Zyres së BE-së në Kosovë.

Për këtë sukses të tij, krenar shprehet rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, i cili përgëzon profesorin Raka për përkushtimin e tij të shfaqur në betejën me COVID-19, si dhe për punën e bërë në shërbim të komunitetit.
“Është nder dhe privilegj për mua që në emër të menaxhmentit dhe gjithë Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” të uroj prof. asoc. dr. Lul Rakën për këtë çmim. Ky çmim dëshmon edhe njëherë që Kosova punon në promovimin e vlerave evropiane” thekson rektori Dema.

Dema shton që suksesi i tij është edhe sukses i Universitetit të Prishtinës, sepse UP-ja është e profesorëve dhe studentëve dhe puna e tyre është mburrje për secilin pjesëtar të këtij institucioni.

Profesor Raka, si staf akademik, i është bashkuar UP-së qysh nga viti 2010. Ai mbanë titullin e profesorit të asocuar në Katedrën e Mikrobiologjisë, Mjekësisë Sociale me statistikë mjekësore dhe informatikë, Mjekësisë Familjare dhe Mjekësisë së Punës, në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë. Para se të ishte staf akademik i Universitetit tonë, Lul Raka ishte edhe student i UP-së.

Çmimi "Evropiani i Vitit" ndahet çdo vit për qytetarët të cilët kanë kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave dhe politikave evropiane. Në Kosovë, ky çmim ndahet tash e pesë vite.