Video-mesazh i rektorit Dema rreth pandemisë COVID-19

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, i është drejtuar me video-mesazh studentëve dhe stafit të UP-së, si dhe të gjithë qytetarëve, për tu vetëmbrojtur dhe për të mbrojtur të tjerët nga pandemia COVID19.

Në këtë mesazh theksohet që mirëqenia e studentëve dhe stafit është prioritet për UP-në, andaj, si rrjedhojë e kësaj, UP-ja ka lansuar menjëherë mësimin virtual, ku deri më tani janë mbajtur rreth tre mijë ligjërata. Ai falënderoi studentët që kanë mundësuar që implementimi i mësimit virtual, nga një sfidë, të shndërrohet në suksesin e radhës të UP-së.
“Mësimi virtual ka qenë një sukses i vërtetë, për çka iu falënderohem së pari juve, të dashur studentë, pastaj personelit akademik dhe jo akademik, për një punë të shkëlqyer që është duke u bërë” theksoi Dema.

Në mesazhin e tij, ai fton të gjithë që t’i bashkohen aksionit që ta mbrojmë shëndetin dhe ta ruajmë jetën tonë. “Ky aksion është i thjeshtë, kërkohet që të rrini në shtëpi dhe t’i respektoni të gjitha udhëzimet që vijnë nga organet kompetente” thuhet në mesazhin e tij.

Qëndroni me shëndet, duke ruajtur vetveten, familjen dhe shoqërinë!

Ndiqni mesazhin e plotë në videon e paraqitur në vijim: