COVID19: Ruajtja e Shëndetit Mental gjatë Pandemisë së Virusit Korona

Nga: Dashamir Bërxulli & Aliriza Arënliu

Tashmë është java e dytë, që pandemia e virusit Korona (Covid-19) ka prekur edhe Kosovën. Duke iu referuar informacioneve dhe përvojave të shteteve të tjera është e arsyeshme të pritet, që situata në Kosovë mund të paraqesë një rritje të caktuar të numrit të të infektuarve. Ashtu si deri tani, e gjithë kjo gjendje natyrshëm shoqërohet me emocione apo gjendje psikologjike jo pozitive. Këto të fundit mund të agravohen veçanërisht në situatën e qëndrimit të gjatë në shtëpi, vetëizolimit apo karantinës së detyruar. Është e rëndësishme, që t’u kushtohet vëmendje edhe aspekteve psikologjike, të cilat mund t’ia shkurtojnë ose largojnë ndjeshëm virusit rrugën për te njerëzit.

Fillimisht duket, se burimi më i madh i frikës është fakti, që Covid-19 është një virus Korona i ri dhe jo të gjitha informacionet dihen për të. Zakonisht, për çështje të ndërlikuara dhe që kanë nevojë për ekspertizë specifike, njerëzit përdorin atë, që quhet modeli dy hapësh i komunikimit. Pra, mbështetet në shpjegimet e mediave, në këtë rast përmes ekspertëve përkatës, që janë mjekët, epidemiologët. Në momentin, kur ekziston konstatimi, që të njëjtët nuk kanë informacion, siç nuk kishin për shkaqe objektive, atëherë situata del jashtë kontrollit. Informacioni i varfër lidhur me virusin e ri: kush e prodhoi, si transmetohet, sa e ka jetëgjatësinë etj. padyshim që ndjell frikë te njerëzit.

Mungesa e informacioneve lidhet po ashtu me disa çështje të pandemisë, që kanë të bëjnë me të dhënat apo statistikat për shkallën e plotë e transmetimit të tij, sa gjerësisht do të shpërndahet e kështu me radhë. Nëse për epidemi apo pandemi të tjera ekspertët e shëndetit publik kanë një pasqyrë të qartë të kurbës së shpërndarjes së viruseve të caktuar (meqenëse ka përvoja, shkrime, statistika për to), këtu nuk dihet se çfarë të pritet, cila strategji të adaptohet, që të jemi më efikasë. Plus, mungesa e ilaçit, e kombinuar me aspektet e tjera të përmendura më lart, rrit ndjeshëm frikën individuale dhe kolektive në këtë situatë pandemie. Mosnjohja, informacioni i pjesshëm, pamundësia për ta luftuar virusin me mjetet e duhura, na bën, që të mos e kontrollojmë situatën. Mungesa e kontrollit (në këtë rast, ashtu si në jetë) sjell frikë dhe, më pas, paniku është një hap larg, veçanërisht nëse frika është kolektive. Na duhet të rifitojmë kontrollin, qoftë edhe vetëm në mendjen tonë, të vetes dhe situatës në mënyrë që të kontrollojmë po ashtu frikën.

Masat, që lidhen me parandalimin e përhapjes së virusit Korona, nënkuptojnë qëndrim në shtëpi, distancim social, vetëizolim, përveçse mbajtja strikte e një higjiene të caktuar. Këtu kërkohet një vetëpërmbajtje e disiplinuar, gjë që është e vështirë për shumicën e njerëzve. Nëse ndjeni, se keni një reagim të caktuar emocional apo psikologjik gjatë respektimit të këtyre masave, mos u ndjeni keq. Reagimi është njerëzor, sepse ne jemi qenie sociale dhe nuk është në natyrën tonë një distancim i tillë i vazhdueshëm, i plotë. Megjithatë duhet të vetëpërmbahemi. Vetëpërmbajtja në këto raste duhet interpretuar kognitivisht, duhet krijuar një narracion i ri në mënyrë që distanca sociale dhe qëndrimi në shtëpi të jenë më të pranueshme dhe të shihen si pozitive; pra, të mos jenë të lidhura vetëm me frikën. Disiplina në zbatimin e masave të sugjeruara zyrtarisht nga organet kompetente duhet parë si qëllim superior, që duhet t’ia shtrojmë vetes. Arritja e një qëllimi superior, që në këtë rast është ruajtja e shëndetit të vetes, familjes dhe komunitetit, na bën neve të japim më shumë nga vetja, të bëjmë sakrifica, të ndryshojmë, të jemi të organizuar dhe të vetëdijshëm. Kjo padyshim jep edhe efektin e reduktimit të frikës personale. Në Kosovë ekziston një model i tillë veprimi: liria – qëllimi superior i shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’90, që i bëri të bëjnë shumë sakrifica, por në fund ta arrijnë atë! Duhet të kthehemi te modelet tona më pozitive në të kaluarën e afërt dhe të largët për të gjeneruar energji të reja pozitive. Sfida është e re, kërkon qasje specifike, por forca jonë mentale si individ dhe shoqëri është pika kryesore e referimit edhe në këtë situatë.

E rëndësishme është po ashtu, që frika ndaj virusit Covid-19, të mos ndërlidhet me të tjera probleme, që ka sot Kosova dhe çdo qytetar i saj. Duke mos rënë në panik, por duke vepruar në kontroll të situatës dhe me vetëdije të plotë, është momenti t’i jepet prioritet parandalimit të shpërndarjes së virusit dhe të mos angazhimit në probleme të tjera, që mund të ketë shteti apo individi. Fokusimi te probleme të tjera thjesht shton stresin tonë dhe heq energji të vyeshme dhe të domosdoshme nga menaxhimi i situatës shëndetësore. Në kuptimin e dinamikave ndërpersonale dhe familjare, është thelbësore të kuptohet, që kufizimet e hapësirës fizike, sociale dhe kufizimet e natyrave të tjera, kërkojnë përpjekje dhe tolerancë domethënëse për të mos u bartur si ndikim emocional apo tjetër në marrëdhëniet familjare.

Organet qeveritare, organizatat joqeveritare, liderët komunitarë dhe e gjithë shoqëria duhet të shfrytëzojnë prirjen e njerëzve për të ndihmuar dhe u solidarizuar në këto situata. Jo vetëm historia e Kosovës, së fundmi rasti i tërmetit në Shqipëri, por edhe studimet në raste vështirësish shoqërore, tregojnë, që njerëzit nxjerrin në pah anën e tyre prosociale, duke u ndjerë të afërt me njerëzit e tjerë. Prandaj, duhen gjetur mënyra adekuate të angazhimit të njerëzve për të krijuar një energji dhe sjellje solidare, gjë që nga ana e vet do të ndihmonte jo vetëm në plotësimin e nevojave të tanishme të segmenteve të caktuara të popullatës dhe shkurtimin e kohës së qëndrimit në shtëpi, por edhe në reduktimin e pasojave të ardhshme, përfshirë edhe ato psikologjike, që do të ketë kjo situatë te njerëzit.

Në situatën, ku vetëm sa kanë filluar të sqarohen informacionet për virusin Korona, nevoja për informim të shpejtë dhe korrekt të popullatës është domosdoshmëri. Njerëzit do të gjejnë një pjesë të qetësisë, qëllimshmërisë dhe racionalitetit në sjellje, tek informacionet adekuate, që do të marrin në vazhdimësi, ndërkohë që situata evolon. Qeveria ka përgjegjësinë kryesore të japë informacione në kohë reale, të cilat duhet të jepen siç janë. Informimi i drejtë, i saktë, në kohën e duhur i popullatës është një ndër komponentet kryesore, që do të udhëheqë sjelljen kolektive dhe individuale. Përfaqësuesit e institucioneve, ekspertët përkatës të shëndetit publik, atij mental dhe opinionbërësit kanë detyrimin të përdorin burime të besueshme informacioni, kur japin mesazhe në çfarëdolloj forme. Ky është sjellja e duhur edhe për secilin qytetar: të informohet nga një burim i sigurtë informacioni për Covid 19 dhe zhvillimet rreth tij në Kosovë dhe botë.

Një menaxhim individual i rrezikut kërkohet nga të gjithë ne. Planifikimi i veprimeve, orareve, informimi, dezinfektimi dhe aspekte të tjera të rutinës së përditshme ndihmon në përshtatjen sa më të mirë me dinamikën e re në shtëpi. Po ashtu, shfrytëzimi i kohës në mënyrë kreative, duke u angazhuar në komunikim, lojra, libra, filma mund të jetë një mënyrë e mirë për të gjithë ne, që të ridimensionojmë marrëdhëniet tona ndërpersonale ose aspekte të caktuara të tyre, duke theksuar një parashikues të mirë të marrëdhënieve të forta – angazhimin – sa më shumë angazhim, aq më shumë marrëdhënie të forta do të kemi!

*Autorët janë profesorë të Departamentit të Psikologjisë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”