Revista e studentëve të Gazetarisë në UP, pjesë e platformës më të madhe të Evropës Juglindore për edukim mbi medien dhe informacionin

Revista “Intro” e studentëve të vitit të tretë të Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, e cila është revista e vetme e kësaj fushe në Kosovë,është bërë pjesë e platformës më të madhe të Evropës Juglindore për edukimin mbi medien dhe informacionin “CIMU SEE”.

Në “CIMU SEE” është publikuar edhe një artikull për revistën e studentëve tanë, në të cilin tregohen detaje të përmbajtjes dhe realizimit të intervistës.

E profesori që mentoroi punën e studentëve, prof. asoc.dr. Arben Fetoshi, publikimin e kësaj reviste në një platformë kaq prestigjioze e cilëson si lajm fantastik.“Publikimi i revistës ‘Intro’ nga platforma më e madhe e Evropës Juglindore për Edukimin Medial është një lajm fantastik, konfirmim i punës së shkëlqyer të studentëve dhe afirmim i rëndësishëm ndërkombëtar i  përpjekjeve të Departamentit të Gazetarisë për t’i upërgjigjur sa më mirë sfidave të reja në fushën e mediave”, tha profesor Fetoshi.

Studentja Verona Selimi, e cila ka qenë edhe redaktore e kësaj reviste, thotë se në mungesë të informacioneve në gjuhën shqipe për edukimin medial, kjo revistë është burim i mirë, nga i cili mund të informohen të tjerët.“E kemi titulluar ‘Intro’, sepse është një hyrje në fushën e asaj çka mund të bëjnë mediet për qytetarët dhe qytetarët për mediet, që do të pasohet me trajtimin e temave të ndryshme që lidhen me fushën e medieve dhe gazetarisë”, theksoi Verona.

E nisur si detyrë semestrale në kuadër të lëndës “Menaxhimi i medies”, e ligjëruar nga prof. asoc.dr. Arben Fetoshi dhe asistentja Gentiana Paçarizi, revista “Intro” do të vazhdojë të trajtojë tema rreth edukimit mbi medien dhe informacionin. Madje, Paçarizi është ftuar për ta prezantuar revistën në Festivalin Rajonal për Edukimin mbi Medien dhe Informacionin në Ballkanin Perëndimor, që pritet të mbahet në vitin 2021, në Shkup.

“CIMU SEE” është themeluar nga UNESCO dhe Komisioni Evropian, pjesë e bordit të së cilës është Kosova, përmes Institutit për Politika Zhvillimore. “CIMU SEE” është koalicioni më i madh i praktikuesve, organizatave jo qeveritare, vetërregullatorëve, asociacioneve dhe mediave në Evropën Juglindore që merren me këtë fushë.