Njoftim lidhur me veprimet e nevojshme, karshi situatës aktuale pas paraqitjes së rasteve me Covid-19

Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës, duke u mbështetur në Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 13.03.2020, për marrjen e masave shtesë pas konfirmimit të rasteve pozitive me Corona Virus COVID-19, kërkon shtim të vëmendjes nga personeli menaxhues në nivel të rektoratit dhe fakulteteve, në mënyrë që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të zbatuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si në vijim:

  1. Të ndërmerren masa për mbrojtje sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike, mbajtja e distancës deri në 2 metra, shmangie e përshëndetjes dorë me dorë, shmangie e takimeve në grupe, furnizim mjaftueshëm me dezinfektues të duarve dhe mjeteve tjera të nevojshme higjienike.
  2. Reduktohen në veprimet esenciale dhe staf esencial, punët në të gjitha nivelet e Universitetit të Prishtinës, përveç stafit të sektorit të shëndetësisë dhe të sektorit të sigurisë. Menaxhmentet përkatëse vendosin se cili është stafi esencial që sipas nevojës duhet të dal në vendet e punës, nëse ato punë nuk mund të kryhen nga shtëpia, respektivisht të caktohen persona kujdestar për kryerjen e detyrave sipas nevojës.
  3. Menaxhmenti i UP-së dhe dekanët e fakulteteve, sipas nevojës dhe varësisht nga situata, të përgatisin listën e personelit kujdestar dhe të caktojnë orarin e punës për secilin nga stafi i caktuar për kujdestari, natyrisht duke u munduar që ky angazhim të bëhet në mënyrë rrotative.
  4. Të pezullohen të gjitha aktivitetet kulturore dhe sportive në Universitetin ePrishtinës.
  5. UP-ja me të gjitha kapacitetet shkencore dhe profesionale është në gatishmëri t’u shërbejë institucioneve dhe komunitetit, si dhe bën thirrje për kujdes të shtuar drejt mbrojtjes së shëndetit të vetvetes, familjes dhe shoqërisë. Ruaj veten, familjen dhe shoqërinë!
  6. Menaxhmenti i UP-së, do të ju mbaj të informuar për hapat e mëtejmë të masave, varësisht nga situata që mund të paraqitet.
  7. Moszbatimi i këtij vendimi, sanksionohet sipas nenit 250 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

 

Sinqerisht,

Rektori i Universitetit të Prishtinës

Prof. Dr. Marjan Dema