Java e Universitetit: Mbahet konferenca e rektorëve “Universiteti, politika dhe vlerat themelore të arsimit të lartë”
“Universiteti, politika dhe vlerat themelore të arsimit të lartë” ishte tema e diskutimit në konferencën e radhës të rektorëve, e cila mblodhi të gjithë rektorët e universiteteve publike, kryeministrin e vendit, ministren e arsimit, shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, shefen e zyrës së BE-së dhe ambasadorë e pjesëmarrës tjerë.

Në këtë konferencë rektori i UP-së prof. dr. Marjan Dema tha se politika nuk duhet të ndërhyjë në punën e universiteteve, por duhet t’i mbështesë ato.

“Përgjegjësia e UP-së nuk përkufizohet vetëm te krijimi i kushteve cilësore për studim të fëmijëve tanë, por zgjerohet edhe në përgatitjen dhe zhvillimin e kuadrove që do t’i shërbejnë ngritjes së ekonomisë dhe nivelit të jetesës në vendin tonë në zhvillim. Pra, për të zhvilluar vendin, ekonominë, industrinë, e fushat e rëndësishme për ngritje të cilësisë së jetesës, sytë dhe mendja duhet të orientohen drejt Universitetit të Prishtinës dhe drejt arsimit në përgjithësi”, tha rektori.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës z. Albin Kurti premtoi që në qeverisjen e tij do të rriten investimet në arsim.

“Historia e Universitetit të Prishtinës është e lidhur ngushtë me historinë e popullit tonë në gjysmën e shekullit të kaluar. Një periudhë e ndryshimeve të mëdha nëpër të cilat fati I universitetit ishte i lidhur ngushtë me fatin e popullit sepse universiteti i dha dijen e nevojshme një gjenerate e cila do të definonte të ardhmen e vendit”, tha Kurti.

Duke uruar 50 vjetorin e themelimit të UP-së, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit znj. Hykmete Bajrami, përkujtoi ata që kontribuuan për UP-në përgjatë këtyre pesë dekadave.

“Duke shënuar 50 vjetorin e UP-së e shoh të arsyeshme që të reflektojmë për kontributin e ish – rektorit Ejup Statovcit  dhe të profesorëve e studentëve, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm për themelimin dhe ngritjen e Universitetit të Prishtinës”, tha Bajrami.

Kjo konferencë u mbajt në kuadër të “Javës së Universitetit”, me rastin e 50 vjetorit të themelimit të UP-së.