Java e Universitetit: Në 50 vjetorin e tij, UP-ja ndan 50 mirënjohje për personalitetet që dhanë kontribut të veçantë
50 personalitete që dhanë kontribut të veçantë në Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" përgjatë pesë dekadave u shpërblyen me mirënjohje për nder të 50 vjetorit të themelimit të UP-së.

I pari i universitetit, prof. dr. Marjan Dema, tha se secili që e do vendin, e do Universitetin e Prishtinës, sepse UP-ja e bëri këtë shtet.
“UP-ja, si institucioni madhështor arsimor, shkencor dhe kulturor në vend, nuk do të ishte i tillë pa kontributin e pashembullt të personave që ndërtuan historinë e këtij institucioni. Universiteti nuk do të mbijetonte pa guximin dhe këmbënguljen e profesorëve që në atë kohë ligjëruan nëpër shtëpi – shkolla, të cilat për një kohë të gjatë zëvendësuan sallat e fakulteteve. E kjo nuk do të ishte e mundur pa dëshirën e qindra atyre kryefamiljarëve që me lëshimin e shtëpizave për mësim, rrezikuan edhe ekzistencën e tyre, më dëshirën e vetme që fëmijët tanë të vazhdojnë studimet”, tha rektori Dema.

Idriz Ajeti, Aton Çeta, Sadete Mekuli dhe Feriz Krasniqi u shpallën anëtarë nderi të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në emër të personaliteteve që morën mirënjohje një fjalë rasti e tha ish – profesoresha Drita Statovci.
“Sa mirë është të punohet me nder vullnet e përkushtim dhe sa mirë është kur dikush që është kompetent për këtë punë e vlerëson punën tënde”, tha Statovci.

Në fund të ceremonisë solemne pjesëmarrësit patën mundësi të argëtoheshin me performancën muzikore të studentëve tanë të Fakultetit të Arteve.