“UniversiTeTi”, dokumentari që solli rrugëtimin e UP-së në pesë dekada
Historia 50-vjeçare e Universitetit të Prishtinës, nga themelimi i tij më 1970 me entuziazmin e viteve '70-të, te protestat e vitit 1981, diferencimet ideopolitike të '80-ve, për të vazhduar me masat e dhunshme të viteve 1990-të e lëvizja studentore, deri te universiteti i ngritur pas luftës, gjatë 2000-ve, erdhi para publikut të Kino Armatës, përmes dokumentarit të Universitetit të Prishtinës “UniversiTeTi”.

Me rastin e shfaqjes së këtij dokumentari, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, tha se historia e UP-së është e vështirë të shkruhet e të dokumentohet.

“Thuhet se ‘Dokumentarët janë rreth jetës reale, por nuk janë vetë realiteti’. Andaj, sado që ky dokumentar mund të jetë versioni më i mirë i tij, UP-në e kuptojnë vetëm ata që me dekada i kanë përjetuar kthesat e këtij universiteti, që kanë qenë pranë tij në mbijetesë, e sot në liri punojnë për avancimin e tij”, tha rektori Dema.

Autori i këtij dokumentari, ma. ass. Durim Abdullahu, tha se është nder i veçantë që të jetë autor i dokumentarit të këtij institucioni, në të cilin ligjëron i gjithë ekipi realizues i dokumentarit.

“Sfida më e madhe ka qenë përmbledhja e historisë 50-vjeçare të universitetit në një dokumentar, përkatësisht shtatë orë intervista e shtatë orë të tjera xhirime të përbashkohen në një orë, aq sa zgjat edhe dokumentari”, tha Abdullahu.

Pjesa tjetër e xhirimeve, të cilat nuk janë përfshirë në këtë dokumentar, do të bëhen pjesë e arkivit të Universitetit të Prishtinës.

Shfaqja e këtij dokumentari u bë në kuadër të “Javës së universitetit”, javë e cila është organizuar për nder të 50-vjetorit të themelimit të UP-së.