Java e Universitetit: Mbahet konferencë për gratë në arsim të lartë dhe shkencë
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Rrjeti i Grave në Arsimin e Lartë dhe Shkencë (RrGAShL) kanë organizuar sot konferencën “Këmbëngulësia e Grave në Arsimin e Lartë dhe Shkencë”.

Konferenca u mbajt në kuadër të “Javës së Universitetit”, si dhe përmes saj u shënua edhe Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë në vendin tonë.

Punimet e kësaj konference i përshëndeti i pari i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, i cili për kontributin e dhënë në themelimin dhe funksionalizimin e këtij rrjeti u shpërblye me çmimin “Dielli Ilir”.
Në fjalën e tij, Dema theksoi që historia e UP-së dhe e vendit tonë njeh gra dhe vajza prijëse dhe pjesë të kthesave kulminante të kësaj shoqërie.
Janë gratë ato që çdo herë kanë qenë akter në ngritjen e Universitetit. Ju e keni ngritur, avancuar dhe e keni bërë më madhështor këtë institucion, andaj urime ky përvjetor jubilar i UP-së” theksoi ai. Ndër të tjerash, Dema informoi të pranishmit që mbi 60% të stafit administrativ në UP i përbejnë gratë dhe vajzat, ndërkaq rreth 58% e numrit të përgjithshëm të studentëve në Universitetin e Prishtinës janë vajza dhe gra.

Rrjeti shpërbleu me çmim edhe znj. Vlora Nushi, shefe e zyrës së UN Women në Kosovë. Ajo tha se ndonëse interesimi i vajzave për shkollim është më i madh, ato diskriminohen gjatë karrierës së tyre.

Konferencës iu adresua me një video mesazh edhe znj. Claudine Herman, kryetare e platformës Evropiane të Grave në Shkencë, e cila uroi gratë kosovare për formimin e këtij rrjeti.

Konferenca “Këmbëngulësia e Grave në Arsimin e Lartë dhe Shkencë” ka vijuar me fjalime nga gratë pjesëtare të arsimit të lartë dhe shkencës në vendin tonë, si dhe nismëtareve të themelimit të këtij rrjeti, ku në mesin e tyre, audiencës iu drejtua me fjalë përshëndetëse edhe prorektorja për zhvillim dhe cilësi, prof. asoc. dr. Merita Berisha.

RrGAShL është një nismë e themeluar me qëllim të avancimit të pozitës së grave në arsim, shkencë, dhe udhëheqje. Gjatë kësaj konference, gratë pjesëmarrëse ndanë me publikun sfidat në karrierën e tyre në arsim dhe shkencë.