Kemi kënaqësinë të ndajmë lajmin e mirë se Universiteti i Prishtinës ka krijuar modulin inovativ "Praktika në SEMS", i cili synon të lehtësojë dhe të promovojë punën praktike për studentët dhe të diplomuarit. Ky modul shërben si urë lidhëse mes studentëve të UP-së dhe tregut të punës, duke ofruar mundësi për zhvillimin e kompetencave dhe aftësive jashtëkurrikulare në bashkëpunim me sektorin publik dhe privat.
Përmes modulit "Praktika në SEMS", organizatat mund të publikojnë thirrje për praktika (me pagesë dhe pa pagesë), ndërsa studentët mund të aplikojnë drejtpërdrejt për këto mundësi. Platforma gjithashtu u mundëson punëdhënësve të identifikojnë kandidatët e duhur, duke filtruar profilet sipas programeve të studimit dhe nivelit akademik (BA, MA, PhD).
Disa nga komponentët kryesorë të modulit përfshijnë: këshillimin, aplikimin, mentorimin, vlerësimin dhe certifikimin e praktikave të suksesshme, duke garantuar një përvojë të plotë dhe të strukturuar për studentët në rrugëtimin e tyre profesional.
UP-ja përkushtohet në krijimin e kushteve që studentët tanë tani kanë mundësi për të fituar përvojë praktike të vlefshme, duke zhvilluar aftësitë e tyre profesionale dhe duke ndërtuar ura lidhëse me tregun e punës për një të ardhme të suksesshme.