Universiteti i Prishtinës, bashkë me Institutin Alb-Shkenca, strukturë shkencore joqeveritare e jofitimprurëse që bashkon studiues të të gjitha disiplinave nga diaspora e nga mbarë trojet shqiptare në Ballkani, do të organizojnë Takimin XVIII Vjetor Ndërkombëtar në datat 13-14 tetor 2023. Ftohen të gjithë studiuesit dhe shkencëtarët e interesuar të marrin pjesë në këtë tubim shkencor, për të kumtuar arritjet më të reja në fushat specifike të hulumtimit e të ekspertizës.
Në ditën e parë të takimit, më 13 tetor, pas fjalëve të mirëseardhjes, do të trajtohen aspekte të ndryshme nga tema bosht, “Inteligjenca Artificiale (IA) në Arsim dhe në Kërkimin Shkencor”, përmes katër paneleve tematike:
- PANELI 1: Inteligjenca Artificiale;
- PANELI 2: Shkencat ekzakte - Inteligjenca Artificiale;
- PANELI 3: Shkencat humane - Inteligjenca Artificiale;
- PANELI 4: Sistemi arsimor dhe kërkimi shkencor – Inteligjenca Artificiale.
Në ditën e dytë të takimit, më 14 tetor, do të organizohen disa konferenca sipas fushave të ndryshme shkencore që i përkasin edhe organizimit të Institutit Alb-Shkenca në seksione të veçanta shkencore, si më poshtë:
- Filologjia, Historia dhe Kultura
- Drejtësia
- Bujqësia
- Ekonomia
- Shkencat e Natyrës dhe Mjedisi
- Mjekësia
- Inxhinieria dhe Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit
- Shkencat Shoqërore dhe Politike.
Regjistrimi i përmbledhjeve apo abstrakteve të punimeve bëhet krejtësisht online vetëm nëpërmjet sistemit ALPA. Për më shumë informacion në lidhje me pjesëmarrjen në këtë aktivitet shkencor ju lutem lexoni thirrjen duke klikuar KËTU dhe faqen në internet të takimit në http://iash-takimet.org/tv2023/home.